Fjalë Kyçe

Reciprociteti me targa, Ministri Sveçla jep detaje rreth shtimit të forcave policore në Veri

Reciprociteti me targa, Ministri Sveçla jep detaje rreth shtimit të forcave policore në Veri

Mëngjesin e ditën së sotme Njësia Speciale e Kosovës janë vendosur në pikat kufitare në Veri, pasi nga sot nuk lejohet qarkullimi me targa KS.

Për këtë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se ky veprim ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, konkretisht targave të automjeteve.


Tutje, Sveçla ka shkruar se situata është e qetë dhe se Policia e Kosovës ka marrë masat që mos të pengohet apo vonohet lëvizja e njerëzve dhe e mallrave.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të zakonshme si dhe me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues, është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare. Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve.

Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare.

Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”.

Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.