Fjalë Kyçe

Reka: Kosova nuk mund të ofrojë më shumë kompromise

Reka: Kosova nuk mund të ofrojë më shumë kompromise

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se Kosova nuk ka çfarë të ofrojë më shumë kompromis në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se nuk mund të ketë më tepër kompromise nga Kosova se nga çfarë ka dhënë deri tash, ndërsa theksoi se e qartë është se përmbyllja bëhet me njohje reciproke.

“Biden në letrën dërguar Vuçiqit i thotë shumë qartë dhe bindshëm se ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke të dy shteteve. Kosova nuk ka çka të ofrojë më shumë prej kompromiseve. Kosova 22 vitet e fundit ka ofruar dhe ka dhënë tri kompromise mjaft të dhimbshme, në Rambuje më 1999, në negociatat e Vjenës më 2007 dhe në dialogun e Brukselit me marrëveshjen e Brukselit të 18 prillit 2013 me pranimin e të ashtuquajturës fusnotë. Nuk është se Kosova nuk është kooperuese, por nuk mund të ketë më tepër kompromise pa e rrezikuar edhe zhbërjen e shtetit. Dy vija të kuqe janë të panegociueshme, të pakalueshme, është integriteti territorial i Kosovës dhe karakteri unitar i Kosovës”, ka thënë profesori i së Drejtës Ndërkombëtare.

Reka ka shtuar se ka një përplasje mes deklaratave që bashkësia ndërkombëtare po i jep Kosovës rreth Asociacionit të Komunave Serbe.

“Po e shoh se po bëhen spekulime me ‘Zajednicën’, por aq sa bashkësia ndërkombëtare po insiston me këtë ‘Zajednicë’, duhet t’i bëhet një pyetje, a është po kjo e njëjta bashkësi ndërkombëtare që neve një shtet me 95 për qind të përbërjes etnike shqiptare pranoi konceptin, modelin e një shteti multietnik, por si mund të funksionoj në një model të tillë të shtetit multietnik një njësi njëetnike prej 10 komunave serbe. Kemi një përplasje të drejtpërdrejt të asaj që po na thotë bashkësia ndërkombëtare se Kosova duhet të mbetet shoqëri multietnike dhe asaj që ajo po na bën presion ta pranojmë ‘Zajednicën’ edhe pse është një lloj i federalizmit njëetnik”, ka thënë Reka.