Fjalë Kyçe

Rekomandohen emrat për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të OSHP-së

Rekomandohen emrat për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të OSHP-së

Kuvendit të Kosovës më në fund i janë rekomanduar emrat për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili bord është jofunksional prej 30 marsit 2021.

Pas përfundimit të procesit të intervistimit, anëtarët e komisionit vendorë dhe përfaqësuesit e projektit të Ambasadës Britaneze kanë selektuar kandidatët meritorë, duke i radhitur sipas poentimit, të cilat selektime, në fund kanë rezultuar se dallojnë shumë. Derisa për përfaqësuesit e projektit britanik, kandidatja më e suksesshme për anëtare të OSHP-së është vlerësuar Vjosa Gradinaj-Mexhuani, për anëtarët e komisionit vendorë kjo kandidate nuk është vlerësuar fare për tu rekomanduar për anëtare të OSHP-së.

Vendorët për kryetar të OSHP-së e kanë vlerësuar më së shumti me pikë dhe e kanë rekomanduar kandidatin Ardian Behra.

“Betimi për Drejtësi” ka monitoruar dhe raportuar sistematikisht tërë procesin e vlerësimit të të gjithë kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së.

Anëtarët e komisionit për përzgjedhje të bordit të OSHP-së, në përbërje të gjykatësit Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, gjykatëses Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme si dhe gjykatësit Nenad Llaziq nga Gjykata e Apelit, kanë rekomanduar për kryetar të OSHP-së kandidatin Ardian Behra, ndërsa për anëtarë kanë rekomanduar kandidatët Hasim Krasniqi, Faruk Rexhaj, Adem Spahiu si dhe Ruzhdi Morinën.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e projektit të Ambasadës Britanike, Anne Montgomery dhe Gordon Rayan, kanë vlerësuar me pikë maksimale për anëtarë të OSHP-së kandidaten Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa për kryetar të OSHP-së poashtu njëjtë kanë rekomanduar kandidatin Ardian Behra. Ndërsa për anëtarë të tjerë të OSHP-së kanë rekomanduar kandidatët Ruzhdi Morina, Boban Petkovic, Faruk Rexha, Shqipe Hoti dhe Gazmend Gashin.

Në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, pas intervistimit të këtyre kandidatëve, organi përzgjedhës i pavarur listën e kandidatëve të përzgjedhur ia dorëzon Kuvendit, ndërsa Kuvendi i emëron kandidatët me pikët më të larta për pozitën e kryetarit dhe për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së.

Ndryshe, për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe kryetarit të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë aplikuar 27 kandidatë, ndërsa procesit të intervistimit deri më tani iu kanë nënshtruar 20 kandidatë, 7 kandidatë për arsye të ndryshme janë tërhequr nga procesi.

Sipas paragrafit 2 të nenit 100 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, 90 ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së, Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHP-së dhe së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të anëtarëve të OSHP-së.

Qeveria Hoti kishte shpallur konkurs për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së më 12 janar 2021, pasi që më 31 mars 2021 kryetarit dhe anëtarëve aktual do t’u skadonte mandati.