Fjalë Kyçe

Rekrutimi i vajzave në futboll, turne me interesim të madh edhe në Pejë

Rekrutimi i vajzave në futboll, turne me interesim të madh edhe në Pejë

Projekti “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It” që po organizohet nga FFK-ja në bashkëpunim me Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit dhe që po mbështetet nga UEFA, ka vazhduar karvanin me turneun e mbajtur për dy ditë radhazi në Pejë. Ky turne kishte zgjuar interesim, pasi përveç ekipeve nga 12 shkolla fillore, edhe mbështetja nga nxënësit e mësimdhënësit ishte e madhe.

Vajzat e secilit ekip dëshmuan dëshirë të madhe për lojën e futbollit, derisa në disa prej ekipeve u shfaqën edhe talente që në të ardhmen mund të bëhen pjesë e klubeve të futbollit, që njëherësh është edhe synim i këtij projekti.

Në hapje të turneut kryetarja e Komisionit të Futbollit të Femrave dhe njëherësh anëtare e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, theksoi rëndësinë që po i jep FFK-ja zhvillimit të futbollit të femrave dhe sensibilizimit të vajzave për t’u marrë me këtë sport, si dhe përmendi paraqitjet e mira që po i shfaqin ekipet kombëtare në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, të pranishëm ishin edhe nënkryetari Bakir Burri dhe menaxherja e futbollit të femrave në FFK, Valbona Gashi – Uka. Edhe sivjet fitues i turneut në Pejë doli ekipi i SHFMU “Sami Frashëri” nga Ozdrimi, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Ramiz Sadiku”, me rezultat 2:0.

Ashtu sikurse në turnetë e kaluara edhe kësaj radhe FFK-ja për të gjitha ekipet pjesëmarrëse ndau nga 6 topa futbolli si dhe mirënjohje, derisa për dy ekipet finaliste u ndanë edhe kupa.

Xhiro e parë
SHFMU “28 Nëntori” – SHFMU “Xhemajl Kada” 5:0
SHFMU “Lidhja e Pejës” – SHFMU “Sami Frashëri” 0:2
SHFMU “Dardania” – SHFMU “Asdreni” 2:0
SHFMU “Fan Noli” – SHFMU “Smajl Hajdari” 2:0
SHFMU “Ramiz Sadiku” – SHFMU “Lidhja e Prizrenit” 4:0
SHFMU “Skenderbeu” – SHFMU “Vaso Pashë Shkodra” 6:0

Xhiro e dytë
SHFMU “Dardania” – SHFMU “Skënderbeu” 0:2
SHFMU “Sami Frashëri” – SHFMU “Fan Noli” 2:0
SHFMU “Ramiz Sadiku” – SHFMU “28 Nëntori” 3:2

Gjysmëfinale
SHFMU “Sami Frashëri” – SHFMU “Skënderbeu” 4:1
SHFMU “Ramiz Sadiku” me short në finale

Finalja
SHFMU “Sami Frashëri” – SHFMU “Ramiz Sadiku” 2:0. /GazetaAlo