Fjalë Kyçe

Reprezentuesi i Kosovës tanimë është bashkuar me skuadrën e Partizanit

Reprezentuesi i Kosovës tanimë është bashkuar me skuadrën e Partizanit

Partizani i ka me “pikatore” afrimet në këtë periudhë. Ulliam Melo dhe Esin Hakaj janë të vetmet përforcime që kanë kryer kampionët në merkato.

Por, në kampingun stërvitor në Slloveni kanë mbërritur edhe disa “fytyra” të reja.

Njëri prej tyre është ish-portieri i Kombëtares së Kosovës, Bledar Hajdini, i cili është bashkuar me të kuqtë në fillim të kësaj jave. Për “gardianin” kosovar ka pak informacion, gjithsesi thuhet se ka mbërritur për provë.

24-vjeçari është rekomanduar nga një këshilltar i drejtuesve të merkatos, ndaj shikohet si përforcim. Problem për Hajdinin mbetet gjendja fizike, pasi ka qenë i shkëputur për një kohë të gjatë. Në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Ballkanit në Kosovë, por nuk është aktivizuar.

24-vjeçari shikohet si portier i perspektivës, por për Partizanin nuk mund të jetë gati për në Europë. Nëse firmos me të kuqtë, i bie të bëhet pjesë e skuadrës në fillim të kampionatit.

Ndonëse ka lindur në Gjermani, Hajdini ka luajtur në Kosovë, kryesisht me Trepça ’89, si dhe ka një ndeshje me Kombëtaren e Kosovës. Hajdini konsiderohet për provë, por me shumë mundësi ai ka ardhur si një konkurrent për portierin Alban Hoxha.