Institucionet e Kosovës kanë vazhduar me nismat dhe zotimet se do të gjykojnë dhe dënojnë të gjitha krimet e pretenduara të Serbisë gjatë konfliktit të viteve 1998-’99.
Ndërsa në procedurë janë disa plotësime të Kodit të Procedurës Penale që do të mundësojnë edhe gjykimin në mungesë për rastet e krimeve të pretenduara të luftës, Kuvendi i Kosovës pritet që së shpejti të nxjerrë edhe një rezolutë të veçantë.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se do të mbahet seancë të enjten ku do të themelohet një Komision shtetëror, si dhe do të parashtrohet për miratim një rezolutë, lidhur me krimet dhe gjenocidin e kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ai ka propozuar seancën për ditën e enjte dhe se vendimi për mbajtjen e seancës u mor në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare.
Në seancën e ditë se enjte, sipas Veselit, do të diskutohet për themelimin e një Komisioni shtetëror për konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të vendoset për një rezolutë lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë, një vendimi për themelimin e “Muzeut të gjenocidit”, si dhe vendimi për “Memorialin e dëbimit”.
“Këto do të jenë vendime që do t’i marrim ditën e enjte. Pres përkrahje nga të gjitha grupimet politike, mbështetje, për faktin se ky është një mision që i takon gjenetratës sonë. I takon Kosovës që të dokumentojë, të faktojë dhe dëshmojë të gjitha krimet dhe gjenocidin që i ka kryer Serbia mbi Kosovë, në mënyrën që t’i hapet një perspektivë e re rajonit të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese euroatlantike, për të gjitha vendet”, tha Veseli.
Ai ka shtuar që, lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë, do të punojë drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare, duke theksuar synimin për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë.
“Tribunali ndërkombëtar do të marrë kohë. Nuk do të ndodhë ditën e enjte, Mund të marrë kohë shumë. Për vet faktin që Komisioni shtetëror, pasi që të krijohet, i ka një varg masash dhe hapash, të cilat duhet t’i kryej. Pastaj, duhet të shkojmë në fund të asaj e që do të jenë aktakuzat. Aktakuzat do të ngrihen nga vet Prokuroria dhe gjyqësia jonë”, theksoi Veseli.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje nismës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se thënë se “është mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare”.
Këto komente, presidenti Thaçi i ka bërë gjatë një tubimi përkujtimor, kushtuar “Ditës së Martirëve në fshatin Korishë”, dhe ka theksuar se masakra dhe martirët e Korishës janë drejtë për drejtë “viktima të gjenocidit të shtetit të Serbisë, të spastrimit etnik nga ana e shtetit të Serbisë”.
Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë lidhur me Rezolutën e paralajmëruar për gjenocidin e Serbisë nga ana e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se rezolutat e tilla janë shprehje e vullnetit të mirë dhe shprehje e orientimit politik dhe përmbajtësor për një çështje të caktuar. Sipas tij, ndonëse rezoluta për gjenocidin e Serbisë në Kosovë është e vonuar, ajo nuk vjetrohet, për shkak se krimet e kryera nuk vjetrohen.
“Kjo rezolutë – përveç që e shpreh orientimin, brenda dhe jashtë, si dhe i obligon, para së gjithash, moralisht dhe me legjitimitet institucionet, që kudo që paraqiten nëpër botë, të sillen në përputhje me këtë rezolutë – nuk ka ndonjë efekt praktik as në marrëdhëniet me Serbinë e as me bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, kjo rezolutë, siç është paralajmëruar, do të përcillet edhe me nxjerrjen e një ligji për themelimin e Gjykatës Speciale për ndjekjen e kriminelëve apo krimeve të luftës që janë bërë në Kosovë”, vlerësoi Tahiri.
Tahiri ka shtuar se Rezoluta për gjenocidin e Serbisë në Kosovë e hapë iniciativën që krimet të mos mbeten të pandëshkuara, si dhe të jepet vlerësimi për atë që ka ndodhur ne Kosovë gjatë luftës së fundit.
Sipas tij, është e dukshme që Kosova do të përpiqet të krijojë një gjykatë, jashtë gjykatave të rregullta të Kosovës, e cila do t’i gjykojë krimet e Serbisë në Kosovë dhe do t’i nxjerrë para organeve të drejtësisë kriminelët dhe të gjitha strukturat që i kanë kryer këto krime. Megjithatë, sipas tij, në Kosovë, ende nuk ka qartësi se a do të jetë kjo gjykatë në kuadër të sistemit të drejtësisë së vendit, se a do të jetë një aneks ose zgjerim i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së prokurorit të specializuar, që njihet si Gjykata speciale për krime e pretenduara të UÇK-së, në mënyrë që kjo të zgjerohet dhe të përfshijë edhe krimet e Serbisë në Kosovë.
Por, për t’u krijuar një Tribunal ndërkombëtar, siç e pretendojnë drejtuesit e institucioneve të Kosovës, sipas Tahirit, kërkohen procedura, për të cilat Kosovës i nevojitet ndihmë ndërkombëtare.
“Për t’u bërë një tribunal ndërkombëtar, Kosova duhet të jetë anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe të nisë procedurat, që tash për tash është e pamundur. Duhet të ketë një rezolutë në Parlamentin Evropian ose në Këshillin e Evropës, në mënyrë që pastaj të nisen procedurat për krijimin e një gjykate ndërkombëtare, e që së paku është një periudhë 5 vjeçare, që nuk besoj që do të ndodhë”, u shpreh Tahiri.
Kuvendi i Kosovës, në mesin e muajit prill, ka formuar një komision të veçantë ‘ad hoc’ për dënimin e, siç është thënë, krimeve të luftës, gjenocidit dhe agresionit të regjimit të Serbisë, i cili ka punuar për hartimin e rezolutës në lidhje me këtë çështje.
Qëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, është hapja e Tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur ende konsiderohen mbi 1,600 persona.