Fjalë Kyçe

Rijad Bytyqi, heroi i Kosovës në betejën e vështirë

Rijad Bytyqi, heroi i Kosovës në betejën e vështirë

Në një ndeshje që e kishte dominuar plotësisht, kampionia e dy vjetëve të fundit për grupmoshën U-17, Holanda, kishte marrë vetëm një pikë.

Më 9 tetor në Venray të Holandës, “tulipanët” e rinj barazuan 1:1 me Kosovën U-17, që duke ndalur Holandën bëri befasinë më të madhe të raundit kualifikues për “Euro 2020”, shkruan sot Koha Ditore.

Holanda kishte posedimin e topit në 90 për qind të kohës, ndërsa kishte plot 21 goditje në drejtim të portës. Kosova shënoi me goditjen e vetme që kishte. Në anën tjetër të fushës, holandezët kishin nëntë goditje të pasakta, katër të bllokuara nga lojtarët dhe plot tetë që shkuan në portë.

Por vetëm një herë topi përfundoi në rrjetë. Gardiani i Kosovës, Rijad Bytyqi shkëlqeu në atë ndeshje të luajtur thuajse në një portë. 16-vjeçari mori vlerësimet më të mëdha nga Holanda.

“Atij do t’i ndërtohet një statujë në Kosovë”, kishte thënë seleksionuesi i Holandës, Mischa Visser pas ndeshjes me Kosovën. Ai e kishte fjalën për Bytyqin.

Me Bytyqin mes shtyllave, porta ishte pika më e fortë e Kosovës në atë ndeshje të vështirë ndaj Holandës. Në bazë të statistikave, ai bëri plot shtatë pritje.

Në pak raste trajneri i Holandës lavdëron publikisht lojtarët kundërshtarë. Aq më tepër lojtarë të përfaqësueseve ndaj të cilave priten fitore bindëse.

Suksesi te Holanda U-17 kërkohet gjithnjë. Lojtarë të saj bëjnë karrierë në shkolla të klubeve më të mëdha evropiane. Holanda njihet si vend që nxjerr shumë futbollistë të rinj cilësorë dhe përfaqësuesja U-17 është e mbushur me të tillë. Por ndaj Kosovës ata nuk gjetën suksesin, me gjithë dominimin e plotë.

Lavdërimi i Bytyqit nga trajneri holandez: Duhet një statujë për të

Rijad Bytyqi ishte njëri prej vetëm pesë lojtarëve të përfaqësueses U-17 që bënë karrierë në Kosovë, e që u grumbullua për këtë cikël eliminator. Ai është pjesë e shkollës së futbollit, Roni 19.