Fjalë Kyçe

Rikthehen disa kufizime pas shtimit të rasteve me COVID-19– sheshet plot me qytetarë

Rikthehen disa kufizime pas shtimit të rasteve me COVID-19– sheshet plot me qytetarë

Numër rekord i rasteve të reja me Covid-19 është shënuar edhe të shtunën në Kosovë. Rekord ka qenë edhe numri i të testuarve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Nga 1 mijë e 750 mostra të testuara, 514 persona kanë rezultuar pozitivë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 19 mijë e 800, prej të cilëve mbi 15 mijë e 500. Gjatë 24 orëve të fundit, 3 persona të konfirmuar me koronavirus kanë vdekur, duke e çuar totalin në 681.

Shkaku i numrit të lartë të të infektuarve, masa të reja kundër Covid-19 janë vënë të shtunën. Në mbledhjen e Komitetit për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth COVID-19 është vendosur që gastronomia dhe qendrat tregtare do të jenë të mbyllura nga ora 21:00-05:00, e që pas kësaj kohe mund të punojnë vetëm me shërbime “merr me vete:”.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të lirohen nga puna personat që janë mbi moshën 60-vjeçare dhe ata me sëmundje klinike si dhe i ka ndaluar punëtoritë dhe seminaret publike, e private.

“Personave mbi moshën 65 u lejohet dalja nga ora 06:00-10:00 dhe nga 16:00-19:00, jashtë këtij orari lejohen vetëm për nevoja shëndetësore. Kemi parë që javën e fundit janë rritur testimet, gjë që ishte e domosdoshme. Ishte kërkesë që duhej plotësuar, më shumë testime, për aq sa kemi mundësi dhe sipas rastit. Kjo situatë ka prekur tërë vendin tonë. Secili është pjesë e situatës. Si djalë i dy prindërve të shtyrë në moshë, si bashkëshort dhe si baba i tre fëmijëve, si Ministër i Shëndetësisë dhe qytetar i Republikës së Kosovës, Ju bëj sërish thirrje të gjithëve pa dallim, për solidaritet dhe bashkëpunim, sepse askush nuk është i tepërt në luftën kundër Covid-19”, ka thënë Zemaj.

MSH-ja, në mesin e masave për të parandaluar rritjen e numrit të të infektuarve, vendosi që edhe ligjëratat në universitete publike dhe private të kalojnë në mësimin vetëm online.

Sipas ministrit Zemaj, situata e krijuar me pandeminë ditëve të fundit ka bërë që vendosin për këto masa, derisa ka shtuar se efekti i tyre do të shikohet gjatë dy javëve të ardhshme.