Fjalë Kyçe

Rivaldo tregon se çfarë e pret Viniciusin te Reali

Rivaldo tregon se çfarë e pret Viniciusin te Reali

Vinicius Junior mund të luajë me lehtësi përkrah Eden Hazard te Real Madridi, thotë Rivaldo.

Ky i fundit nuk sheh asnjë arsye për të besuar se blerjet e reja për shuma të mëdha parash do të pengojnë përparimin e të rinjve të talentuar.

Në moshën 18-vjeçare, braziliani shihet si një diamant në “Santiago Bernabeu”. Kuptohet, aty janë në procesin e lustrimit të tij, pasi kanë investuar besim të konsiderueshëm dhe fonde financiare mbi aftësitë e Vinicius Junior.

Gjëra të mëdha priten nga “adoleshenti”, i cili ka shënuar 4 gola në 31 ndeshje, sezonin e kaluar. “Los Blancos” kanë shpenzuar shumë për përforcimin e radhëve të tyre këtë verë. Luka Jovic dhe Eden Hazard janë ndër ata, që shihen të padiskutueshëm në sulmin e Real Madridit, por Rivaldo nuk pret që prania e tyre të ndikojë në zhvillimin e bashkëkombësit të tij.

Fituesi i Kupës së Botës me Brazilin në vitin 2002 i tha “Betfair”: “Real Madrid po kërkon mënyra për t’i akomoduar yjet e veta. Megjithë komentet e fundit mbi Vinicius Junior, besoj se ai mund të luajë me lehtësi në krah të Eden Hazard. Madje, ata të dy mund të formojnë një partneritet të mirë ofensiv.

Duke luajtur me një lojtar të tillë cilësor si Hazard, ai mund të jetë më i relaksuar, pasi do të përfitojë prej belgut, ashtu si edhe Real Madridi. Vinicius vetëm duhet të përqëndrohet në punën e tij dhe të përpiqet të bindë Zinedine për ta pasur zgjedhje të parë. Klubi po bën shumë ndryshime në skuadër, kështu që duhet të përshtaten me njëri-tjetrin. 

Puna e Zidane do të jetë e rëndësishme, ai është një trajner i shkëlqyer. Si futbollist, Zidane njihej si dembel i rremë në fushë, por shumë i zgjuar. Sigurisht, ai ka një plan për t’i aktivizuar së bashku këta dy lojtarë, kështu që do të gjejë mënyrën si të kombinohen dhe përshtaten me njëri-tjetrin në fushë”.