Fjalë Kyçe

Ronaldo në shok, Lazio fiton Superkupën

Ronaldo në shok, Lazio fiton Superkupën

Në Riad të Arabisë Saudite sonte është zhvilluar ndeshja finale e Superkupës së Italisë në futboll ndërmjet Juventus dhe Lazio.

Juve në këtë ndeshje hyri si ekip që mbron Superkupën pasi mposhti Milan me rezultat 1:0 në sezonin e kaluar.

Skuadra romake i hyri takimit për fitore. Një rekord prej gjashtë fitoreve në shtatë e fundit të tyre nënvizon një fokus të fortë në mbrojtje dhe sulm.

Lazio erdhi në epërsi pas një aksioni të gjatë dhe të bukur në minutën 16. Mbrojtja e Juventusit ishte pothuajse e pafuqishme për të ndalur Luis Alberto, i cili ndëshkoi “bardh-e-zinjtë” me një goditje të fuqishme që përfundoi në rrjetë.

Skuadra romake kishte edhe një rast të volitshëm për të shënuar dy minuta më vonë pas një kundërsulmi të rrezikshëm përmes Immobilie, por ai u ndalua nga mbrojtja e Juventusit.

Në minutën 21, në qendër të vëmendjes serish del Luis Alberto, por goditja e tij u ndal nga portieri Sczczesny.

Juventus në kundërsulm rrezikoi përmes Cristiano Ronaldo, por goditja e përfundoi jashtë portës së Tomas Strakoshës.

Lazio kishte serish rast për të shënuar në minutën 32, por goditja e Correa u ndal nga portieri i Juventusit.

Kur pritej që pjesa e parë të përfundojë me epërsi të skuadrës së Lazios, Juventus barazoi shifrat përmes Dybala në minutën 45, pasi portieri Strakosha ndali përkohësisht goditjen e Ronaldos nga distanca dhe topi u kthye të futbollisti argjentinas që nuk e pati të vështirë ta dërgojë në rrjetë për 1:1.

Edhe pjesa e dytë u tregua mjaft e fortë dhe interesante, pasi të dyja skuadrat ishin në kërkimin e golit të fitores.

Ronaldo kishte një rast të mirë shënimi në minutën 71, por goditja e tij ishte tepër e fortë dhe përfundoi jashtë portës së Strakoshës.

Dy minuta më vonë, Lazio erdhi deri te goli i dytë përmes Senad Luliq për 2:1.

Skuadra romake shënoi edhe golin e tretë nëntë minuta para përfundimit të ndeshjes, por gëzimi i Correa nuk zgjati shumë pasi që ai ishte në pozitë jashtë loje.

Rastin e fundit për barazim skuadra e Juventusit e pati në minutën e dytë të kohës shtesë, kur goditja e Dybala u ndal nga ‘muri i gjallë” i Lazios.

Në kundërsulm, Lazio dështoi të shënojë golin e tretë, ndërsa Bentancur u përjashtua nga ndeshja për shkak të ndërhyrjes së palejuar. Pas ekzekutimit të goditjes së dënimit, skuadra e Lazios shënoi edhe golin e tretë përmes Daniel Cataldi.

Ky është sezoni i dytë radhazi që Superkupa e Italisë është zhvilluar në Arabinë Saudite pas lojës së vitit të kaluar në Jeddah.

Dominimi i ‘Zonjës së Vjetër’ në konkurrencën italiane shtrihet në Superkupë, me katër tituj nga shtatë finalet e fundit.

Kjo është hera e dytë që Lazio fiton Superkupën e Italisë në futboll. Herën e fundit, Lazio kishte fituar Superkupën ndaj gjigandëve të Torinos me rezultat 3:2 në 2017, në “Stadio Olimpico”./KosovaPress/