Nën dyshimet se kanë vrarë njërin nga 4 grabitësit që hynë në shtëpinë e tyre, Gjykata në Ferizaj ia ka caktuar një muaj paraburgim pronarit të shtëpisë N. Nrecaj, ndërsa ka lënë në arrest shtëpiak vëllanë e tij, pasi refuzoi t’ia shqiptojë masën e njëjtë.
Sipas Prokurorisë, vëllezërit Nrecaj, me dashje kanë privuar nga jeta grabitësin F. Gashi, të cilin e kanë ndjekur deri në rrugën kryesore, e kanë goditur me thikë në pjesë vitale të trupit, duke e lënë të vdekur në vend, raporton KTV.
Por, babai i vëllezërve Nrecaj, Hasani, këtë vendim e ka quajtur të padrejtë, derisa sqaron rrethanat se si kishte dëgjuar britmat e djalit të tij kur kishin hyrë në shtëpi grabitësit.
E ky nuk ishte tentim i parë për grabitje në këtë shtëpi.
Se kjo grabitje ishte e planifikuar, e tregojnë edhe familjarët të cilët thonë se grabitësit, para se të hynin në shtëpi, kishin ndalur energjinë elektrike.
Për më shumë se 30 minuta, N. Nrecaj ishte përleshur me grabitësit, derisa shenjat e plumbave në disa prej dhomave të kësaj shtëpie tregojnë se këtu pati disa herë gjuajtje me armë zjarri.
Grabitjet në këtë lagje të Shtimes, viteve të fundit, sipas banorëve, janë të shpeshta.
Derisa ata janë të shqetësuar me mënyrën se si institucionet e drejtësisë po i trajtojnë këto raste.
E derisa policia thotë se po punon intensivisht në gjetjen e tre grabitësve të tjerë, të mërkurën kanë bastisur shtëpinë e personit të vrarë F. Gashi, i cili rezultoi të jetë djali i një zyrtari policor.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, i ndjeri kishte dhjetëra dosje në polici, për vepra të ndryshime kriminale, shumica prej tyre për lëndë narkotike.
Derisa banorët e lagjes së Pajtimit në Shtime kanë protestuar para Komunës, të premten ata do të protestojnë edhe para Gjykatës në Ferizaj, duke kërkuar lirimin e dy vëllezërve Nrecaj.
Një ditë më parë, pas një grabitjeje që ndodhi në shtëpinë e familjes Nrecaj, u plagos pronari i shtëpisë N. Nrecaj, derisa pas një përleshjeje që ndodhi mes dy vëllezërve dhe grabitësve, dyshohet se mbeti i vdekur F. Gashi.