Gjatë konflikteve të viteve ’90-a në territorin e ish-Jugosllavisë janë kryer shumë krime lufte, duke përfshirë dhunën seksuale. Veçanërisht në fokus është numri i madh i përdhunimeve në Bosnjë e Hercegovinë, të cilësuara nga Tribunali i Hagës si “Krime kundër njerëzimit”
“Unë u përdhunova në Omarskan ku më burgosën më 1992-n. Kjo është bërë nga Mlado Radiç, i cili më vonë u dënua me 24 vjet burg. Isha gjithashtu një dëshmitare e Hagës në këtë proces dhe unë dëshmova gjithçka”, thotë Sabiha Turkanoviq për “Deutsche Welle”.
Ajo ka frikë se shumë raste të përdhunimit do të mbeten pa u ndjekur penalisht. Prandaj ajo fton të gjithë ato që mbijetuan përdhunimin dhe abuzime tjetra për ta raportuar atë tek institucionet kompetente.
“Kam fëmijë, kam pasur një burrë … Dhe ai ishte i burgosur në Omarska. Për vite të tëra kam heshtur në lidhje me këtë dhe kur tregova se isha përdhunuar ishte një tronditje për anëtarët e familjes sime, për vajzat e mia … Unë e identifikova përdhunuesin me emër dhe me mbiemër. Dhe gra të tjera u përdhunuan në Omarska. Ato gjithashtu janë përdhunuar dhe në vende të tjera, por ato po heshtin për këtë. Shumë gra prej turpit nuk mund të flasin për atë se si janë poshtëruar në mënyrë të tmerrshme. Por kjo nuk është turpi ynë, është një turp i përdhunuesve. Nëse gjykatat i dënojnë kriminelët, atëherë do të jetë më e lehtë për viktimat. Duhet të flitet, përdhunuesit duhet të dënohen”, thotë Sabiha.
Grozdana Çeqez: Unë kurrë nuk mund të jem një grua siç isha
Grozdana Çeqez dëshmoi para Tribunalit të Hagës. Ajo foli për mënyrën se si ndihej pasi i dënuari Hazim Deliq e përdhunoi atë në kampin “Celebiçi” afër Konjicit më 1992-n. “Më shkeli nderin… Nuk mundem më të arrij të bëhem vetvetja, të jem një grua siç isha”, tha Grozdana Çeqez.
Historia e përdhunimeve dhe e abuzimeve të tjera seksuale në Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve 1990 nuk do të thuhet asnjëherë deri në fund. As edhe një çerekshekulli pas konfliktit në BH nuk dihet numri i saktë, nuk ka një bazë të dhënash me emrat e viktimave, ndërsa viktimat ishin gra, burra dhe madje edhe fëmijët.
Sipas një vlerësimi jozyrtar midis 20,000 dhe 50,000 persona në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë luftës së kaluar i janë nënshtruar një forme të dhunës seksuale. Shumë raste të përdhunimit nuk janë raportuar, kryesisht për shkak të frikës nga stigmatizimi. Viktimat e mbijetuara të abuzimit seksual ende nuk kanë të drejta dhe përfitime të barabarta në të gjitha pjesët e BH-së. Vetëm një në dhjetë viktima përdor një lloj ndihme ligjore falas në institucionet publike.
Viktimat janë të stigmatizuara dhe të izoluara
ICTY-ja (Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë) përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale i ka trajtuar si një krim kundër njerëzimit dhe autorët e krimeve janë ndjekur penalisht edhe në gjykatat lokale (rajonale), thotë gazetarja e “BH Radio 1” Mirela Hukoviq- Hodziq. “Pasojat e këtyre krimeve ende janë kryesisht të patrajtuara dhe ndikojnë në jetën e të mbijetuarve, gjegjësisht dëmshpërblimi ligjor dhe kompensimi mungojnë. Gjithashtu mungon përkrahja sistematike nga institucionet dhe shoqëria. Publiku di pak për vuajtjet dhe traumat, e të mbijetuarit dhe viktimat ndihen të stigmatizuar dhe të izoluar”, thotë Mirela për DW-në.
Krimet e dhunës seksuale përsëriten në mbarë botën
Bashkëbiseduesja e DW-së thekson se përfshirja sociale dhe fuqizimi ekonomik janë parakushte të domosdoshme për përfshirjen e të mbijetuarve, por që shoqëria e BH-së nuk po dëgjon për këtë, e cila përsëri traumatizon të mbijetuarit. Krimet e dhunës seksuale përsëriten në konflikte në mbarë botën.
Megjithëse Kombet e Bashkuara po ndërmarrin aktivitete për të parandaluar krime të tilla, ato nuk janë zhdukur. “Nëse ne shikojmë në problemin nga këndvështrimi i viktimave të mbijetuara, duket se kemi mësuar shumë pak në lidhje me parandalimin e përdhunimit si armë lufte. Frika që përjetuan disa nga viktimat e përdhunimit dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në BH morën një epilog gjyqësor. Prijedori, Foça, Çelebiqi Vitez, Brçko, Srebrenica, Dretelj … janë vetëm disa nga toponimet, ku ato lloj krimesh janë kryer.
Askush nuk flet për burrat e përdhunuar
Shoqëria në BH-së pothuajse nuk ka asnjë lidhje me të mbijetuarit e abuzimit seksual, thotë menaxherja e programit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut Alexandra Letiq. “Kur bëhet fjalë për krimet e dhunës seksuale që janë kryer gjatë viteve 1990, kjo temë është tabu për vite me radhë. Viktimat e kanë të vështirë të flasin, veçanërisht ata që kanë përjetuar formën më të keqe të dhunës seksuale – përdhunimin. Në BH viktimat e dhunës seksuale shpesh janë të stigmatizuar dhe si të tilla ato e kanë shumë vështirë për të ushtruar të drejta ligjore. Veçanërisht kompleks është problemi i burrave të përdhunuar. Askush këtu nuk flet për këtë dhe është e qartë se pse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e viktimave dhe të numrit të krimeve të dhunës seksuale”, thotë Letiq.