Fjalë Kyçe

Rrëfimet për Gjakoviqin, malazezin e arrestuar për krime lufte në Pejë

Rrëfimet për Gjakoviqin, malazezin e arrestuar për krime lufte në Pejë

Si të pamëshirshëm e njohin fqinj e familjarë të të vrarëve në Pejë, të arrestuarin nga Prokuroria Speciale për krime lufte, malazezin Millorad Gjakoviq. Ata kanë rrëfyer për mizoritë e malazezit, ndaj të cilit u ngrit aktakuzë për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë.

Katil, katil, Millosheviqi ka qenë më i mirë 100 herë se qysh ka qenë ai”, thotë me lot në sy e i prekur jashtë mase Jashim Bibulica. Kaq mund të thotë në gjuhën shqipe boshnjaku Bibulica, kur flet për fqinjin e tij Millorad Gjakoviqin.

Megjithëse pronar i këtyre dy shtëpive në Vitomiricë të Pejës, krejt i vetëm jetonte Gjakoviq, për të cilin Prokuroria ngriti aktakuzë për krime lufte.

Fqinji i tij boshnjak, që dikur kishin ndarë edhe klasën bashkë me atë që tash po dyshohet të ketë kryer krime mbi civilët shqiptarë, vazhdon rrëfimin në gjuhën e tij.

“Unë kam qenë fqinj me të qe 50 vite, kemi qenë në shkollë bashkë. Por pak para luftës raporti jonë ka ndryshuar. Ai na ka shikuar sikur të jemi ne të çmendur. Çdo natë vinte në shtëpinë e tij i armatosur dhe me uniformë të policisë. Kur e kanë përgatitur djegien e shtëpisë time, e kanë djegur të tërën, por ani pse pranë, e tija s’është djegur fare. Më ka thënë të marrë gruan dhe të largohem se nuk më do këtu. Edhe pas luftës më ka dërguar shumë shpesh policinë në shtëpi, për çkado. Është endur lakuriq në oborrin e tij, para syve të vajzës dhe gruas time. Fëmijët dhe gruan i ka në Podgoricë. As nuk ka shkuar t’i shohë. As nuk kanë ardhur ta shohin”, u shpreh Jashim Shimo Bibulica.

Pak më larg këtij fshati gjendet fshati Ozdrim. Aty janë kryer masakrat e tmerrshme për çka dyshohet i akuzuari Gjakoviq.

Mes atyre që thuhet t’i ketë vrarë malazezi, është edhe emri i Esat Morinës.

Vëllai i tij rrëfen momentin kur po lëshonin shtëpinë, dhe kur Esati ra në këtë vend për të fundit herë, 100 metra larg shtëpisë së tij, ku tashmë një përmendore gjendet në hapësirën ku trupi i tij i vrarë ka qëndruar 3 muaj i pagjetur.

“Kemi dalë me vëlla përnjëherë prej shtëpisë, dhe me gruan Zyrafetin, kur kemi ardhë, ne kemi shku drejt, vëllau u ndal qetu, dhe më nuk di asgjë, qetu ka nejt tre muaj i vrarë”, tha vëllau i Esat Morinës, Rifat Morina.

Në këtë fshat mbahet mend edhe një masakër, ku Rifat Krasniqit ia mori 6 anëtarë të familjes, mes tyre edhe prindërit.

Dëshmi është kjo shtëpi, tashmë e rinovuar, megjithatë në themel bart këto histori.

“Kishte hyrë këtu në oborr të prindërve të mi, i kishte parë gjysmë të djegur, jo të djegur krejt. Po edhe për rastin që është burgosur e them me vetëdije të plotë se ai ka qenë një i informuar e kam parë vet, ka punuar si zyrtarë shtetëror dhe kanë shkuar përmes procedurave të tij,” u shpreh Rifat Krasniqi.

Për krimet e Gjakoviqit dëshmon edhe Agim Shala, që atë kohë ishte pjesë e Këshillit për të drejta dhe liri të njeriut që gjithashtu humbi familjarë.

“Kafen e fundit ia kam qit, edhe atë e kanë vrarë, e kanë djegur, veç eshnat e këmbëve ua kemi gjetur, ato ia kemi varrosur. Krejt i kemi dëgjuar kur na kanë djegur, thyer shtëpitë, kur na kanë plaçkitur. Krejt, se s’është larg, 100 metra vijë ajrore”, ka thënë Agim Shala.

Malazezi Millorad Gjakoviq, shtetas i Kosovës u arrestua në vendin e tij të punës.

Ai dyshohet për krime lufte, në rastin e ofensivës së forcave ushtarake serbe në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë 9 civilë shqiptarë dhe u zhdukën 5 të tjerë. /PortaliD/