Luka Modric ka dhënë një intervistë për numrin e janarit të revistës GQ.
“Topi i Artë” për 2018-ën rishikon një vit të jashtëzakonshëm në karrierën e tij, në të cilin ka marrë vlerësime të mëdha:
“Më bën të lumtur fakti që njerëzit, më në fund, kanë njohur gjithçka që kam arritur në karrierën time sportive. Më është dashur të fitoj shumë gjëra për ta bërë të mundur që kjo të ndodhë (fitimi i “Topit të Artë”). Dhe vetëm tani, të tjerët e kanë kuptuar se futbolli nuk është vetëm gola, gola, gola”.
Ylli kroat, në mënyrë të sinqertë dhe ekskluzivisht për numrin e janarit të GQ, ka pranuar se rruga për të arritur në këtë nivel të lartë nuk ka qenë e lehtë, teksa i është dashur të mposhtë pengesa të shumta:
“Unë kam jetuar i rrethuar nga dyshimet që nga fëmijëria, sidomos për aspektin fizik. Disa mendonin se fiziku i bëshëm ishte i rëndësishëm për të pasur sukses në jetë dhe në futboll, por kurrë nuk dyshova në veten time”.
Kroati pranon se të gjitha vështirësitë, që i kanë ndodhur në fëmijërinë e tij, e kanë ndihmuar të bëhet më i fortë, transmeton telesporti.
“Me besim në veten time ia kam dalë të bëhem pjesë e klubit më të mirë në botë. Në fillim, shumë njerëz nuk besonin tek unë. Kjo është pjesë e jetës sime. Kam qenë gjithmonë i rrethuar nga dyshimet, duke dëgjuar se nuk do të arrija dot në majë. Të gjitha çmimet, të tillë si “FIFA World Player” apo “Topi i Artë”, i kam merituar. Nuk më ka falur kush asgjë, e kam arritur gjithçka duke punuar”.