Për gjashtë vjet me radhë, polici kosovar Emërllah Durmishi nuk ia doli të ndërronte asnjë fjalë me ushtarët e diktatorit Enver Hoxha.
Durmishin, veshur me uniformën policore në Kosovën nën Jugosllavinë e Titos, dhe ushtarët me uniforma bojëkafe në Shqipërinë enveriste, i ndante vetëm guri i bardhë kufitar. Zia do të pllakoste familjen e Durmishit nëse ai do të guxonte të shkelte në tokën e ndaluar shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.
“Ata nuk guxonin me folë. Më kalonin përskej e nuk guxonin me folë. I kish pasë rrokë fort Enveri”, tregon Durmishi, teksa përplas shpinën e dorës së djathtë në shuplakën e së majtës. “U thosha: ‘Folni more burra se shqiptar jam edhe unë, por joo”, zgjat zanoren e fundit. “I kish pasë baa…”, ndalet pak për të vazhduar: “Avavav”.
Pakkush e di se plaku 94 vjeç nga Lloshkobarja e Ferizajt, emrin e ka Emërllah Durmishi në dokumente personale. Krejt e njohin si Lah Nuha, sikurse e kanë mbiemrin shumica e anëtarëve të familjes. Pasi kishte kryer shkollën për polic në Vushtrri dhe në Vojvodinë më 1949, ishte dërguar në vitet pesëdhjetë të patrullonte në fshatrat e Dragashit, Restelicë e Krushevë përgjatë vijës kufitare me Shqipërinë.
“Ka dekë me djegën me dalë niher n’Shipni”
Në Krushevë kishte me vete edhe nënën e ndjerë dhe gruan. Hyrës nuse ishte detyruar t’ia kthente shpinën vetëm tri ditë pas martesës, kur do të dilte për herë të parë në shërbim policor në Serbi e Bosnjë.
“Më la mas tri dite martesë. Pesë muaj nuk e pashë ma”, thekson me qeshje gruaja e tij, Hyra, 84 vjeçe.
“Po nuk kishte të drejtë me u martu pa i ba tri vjet përvojë në polici. Kështu që nuk guxojsha me kallxu”, thekson plaka. “E në Krushevë kemi nejtë tri vjet. Dalshim te reka me mushë ujë, dalke patrulla knej e anej. Vjehrra më thojke: ‘Hajde bre dalëm n’Shipni’. Ia bajsha: ‘Jo, oj nanë, se neve na burgosin anej,
Lahin knej’”, tregon plaka merakun e nënës së Durmishit për të shkelur një herë në tokën e ndaluar. “Ka dekë me djegën me dalë niher n’Shipni”, shton ajo.
Vetë Durmishi nuk ishte fort kureshtar të shihte Shqipërinë staliniste. Thotë se vetë “teshat mozomakeq” të ushtarëve dëshmonin mjerimin në të cilin i kishte katandisur diktatori shqiptarët e Shqipërisë..