Fjalë Kyçe

Rrëfimi prekës i fëmijëve që i mbijetuan eksplozivit në Zhur: Na shpëtoi polici që u vra

Rrëfimi prekës i fëmijëve që i mbijetuan eksplozivit në Zhur: Na shpëtoi polici që u vra

Për muaj me radhë jetuan me kërcënimet e babait të tyre.

Me frikë e dhunë, dy fëmijët e mitur të Iran Badallit zgjoheshin çdo mëngjes. Kishte qenë pikërisht personi që i kishte sjellë në jetë këta dy fëmijë, Iran Badalli ai i cili kishte qenë i vendosur që t’ua merrte jetën.

Në mesditën e 28 janarit të këtij viti, në gjendje të dehur Badalli i kishte kërcënuar me thikë të miturit e tij se ajo ditë mund të kishte qenë e fundit për ta. Madje, kishte vendosur edhe eksploziv brenda shtëpisë ku ishin këta fëmijë.

Por, nga kurthi i ngritur nga Badallaj për fëmijët e tij, ranë zyrtarët policorë të Kosovës që shkuan atje paraqitën pas një  thirrje telefonike për ndihmë, që e kishin marrë nga vajza 8-vjeçare e  Iranit.

Gazeta Express ka qëndruar në vendin ku po strehohet gruaja e Iranit, 31 vjeçarja,  L.Sh. Ajo bashkë me dy fëmijët e saj që kanë qenë në shtëpi në natën kritike kanë folur për herë të parë rreth asaj së çka kanë parë atë natë dhe për kërcënimet e vazhdueshme që po ua bënte babai – kryefamiljari i tyre. biseda me ta është bërë me pajtimin e nënës e cila po ashtu ka folur.

Në ditën  28 janarit 8-vjeçarja nga Zhuri ishte bërë gati që të shkonte në shkollë. Deri atje, ajo bashkë me vëllain ishin shoqëruar nga babi i tyre Irani. Ai përfundimin e mësimit për vajzën e tij e kishte pritur në një kafene në Zhur. Aty kishte konsumuar alkool.

Në gjendje të dehur pas orës 17:00, Irani e kishte marrë vajzën e tij nga shkolla dhe djalin 11-vjeçar. Deri tek shtëpia me armë i kishte kërcënuar se ajo do të jetë dita e fundit për ta.

Gazeta Express, ka qëndruar në Zhur dhe Prizren. Nga aty ka marrë rrëfimet e fëmijëve që kanë qenë në natën kritike kur në një operacion policor vdiq zyrtari i Policisë së Kosovës, Sami Thaqi.

I kujton shumë mirë fjalët e fundit të babit të saj.  “Kjo është nata e fundit për ju”. Kështu citon t’i ketë thënë babi i saj, Iran Badalli asaj në mesditën e 28 janarit të këtij viti. Pas këtyre fjalëve ai kishte dal nga shtëpia e tij në fshatin Zhur dhe nuk ishte kthyer më.

Por menjëherë pas, kjo vajzë e kishte thirrur policinë. Për Express ajo tregon për natën kritike dhe për mënyrën se si ajo e kishte thirr policinë.

“Babi na sulmonte me thikë. Ai kur ka dal unë e kam prek 192’shin  dhe iu tregova policisë,  iu thash Babi na ka sulmu me thikë. Ata menjëherë kanë ardhë. Babi nuk ka qenë në shpi.  Para se me dal nga shtëpia na ka thanë, ‘Sot është dita juaj e fundit. Unë jam frigu prej tij. Nana më ka msu me e thirë policinë” rrëfehet e mitura.

Ajo tregon edhe për mënyrën se si policia e Kosovës kishin hyrë në shtëpinë e tyre.

“Policia ka hy vet brenda. Ata janë ngjitë nalt. Më thirrën mua dhe vëllain. Na thanë ejani me na tregu neve dhomën. Pastaj mua më thanë shko vishi një palë çorape se isha zbathur.  Si e kam pak unë çorapen në dorë, veç kur e kam dëgjua krismën. Babi pike birra”, tregon për ditën e 28 janarit vajza 8-vjecare.

Ajo thotë se edhe një herë tjetër kishte shkuar në polici dhe e kishte lajmëruar të atin për dhunë. Por atë kohë, askush nuk kishte marrë masa.

“Unë njëherë kam qenë në polici ditën vet.  Ata më kanë thanë, shko në shpi se ti je e vogël”, thotë ajo.

Krisma e shpërthimit në shtëpinë e Iran Badallit ishte ndier thuajse në të gjithë fshatin Zhur. Nga eksplozivi i cili dyshohet se shpërtheu në dyert e shtëpisë së Iranit mbeti i vdekur një zyrtarë policor si dhe u lënduan edhe katër persona të tjerë. Por, lëndime nga shpërthimi mori edhe djali 11-vjeçar i Iranit.

Sipas 11-vjecarit Thaqi u kishte kërkuar fëmijëve që të ngjiteshin me të një kat lartë shtëpisë. Djali i Iran Badallit  thotë se ka parë një kuti të barë si ora të cilën e kishte kapur polici me duar.

“Ka qenë një diçka e gjatë, si kuti, përmbi ka pas një sahat ai polici kur e ka kap në duar. Si ua ka thënë atyre të tjerëve gjeta diçka, vec kur ka kërsitë. Pastaj mu një polic më ka shty, rash në tokë. U çova pastaj në këmbë e shkela përfundri një bllokut. Kur e kam pa policin nën të duke gjëmuar e kërkuar ndihmë. Polici më thoshte shpëtom. Unë u mundova me e hec bllokun”, sqaron djali i mitur.

Edhe djali sqaron se babai i tij gjatë gjithë ditës i kishte kërcënuar duke iu thënë se do t’i vriste.

“Atë ditë, para se të shkojë motra në shkollë, ne dolëm bashkë me babin me e çu motrën.  Unë shkova te shkolla me lujtë top me shokët.  Babi ka qenë në qytet, ka hy në kafe me pi. Edhe kur e ka përfundua motra shkollën jemi kthy tret bashkë në shpi.  Tu u kthy babi na thoshte, ‘dita e fundit është për ju sot’. E nxori thikën dhe na tha shihmi në shtëpi ne”, thotë 11-vjecari.

Ai sqaron se kishte qenë pikërisht polici tashmë i ndjerë, Sami Thaqi ai i cili e kishte shtyrë në momentin kur kishtë shpërthyer eksplozivi.

“Unë i kam pa tre policët e lëndum. Ai që më ka shty mu, ka qenë më larg, thuajse i vdekur. Njëri që e ka zu blloku edhe tjetri duke shku poshtë shkallëve. Kur e ka kap ai polici që tashmë ka vdekë eksplozivin në dorë, ai më ka shtyrë mu që mos të lëndohem”, thotë 11-vjecari.

Për dhunën e vazhdueshme që ia kishte bërë bashkëshorti, l.Sh, vazhdimisht e kishte njoftuar policinë e Kosovës. Këta të fundit e kishin lënë atë të lirë. Për Express kjo grua ka rrëfyer për jetën e vështirë që e kishte kaluar me Iranin.

“Ai pike shumë. Ushtronte dhunë. Mosmarrëveshje kemi pas gjithë kohës. Para tri viteve unë kam dashtë me u nda nga ai. Ai kur pike nuk donte me të njohtë se kush je. Nëse nuk kapej me mua kapej me vajzën, e me djalin. Veç shikonte se ku me u kap. Kur ka qenë me vetëdije ai ka qenë mirë. Alkooli e tjetërsoi të gjithin”, thotë ajo.

Ajo shpjegon se Badalli vazhdimisht e kishte kërcënuar se nëse ndahej nga ai, do ta vriste.

“Prej që kamë dal prej shtëpisë së tij, ai gjithmonë më ka kërcënuar. Na thoshte, “gjithë kam me ju djegë”, thotë ajo.