Fjalë Kyçe

Rregullatori për çmimet e naftës i mungon Kosovës por jo Maqedonisë

Rregullatori për çmimet e naftës i mungon Kosovës por jo Maqedonisë


Kosova duhet të ketë rregullatorin për çmimet e karburanteve siç e ka Maqedonia. Mungesa e një rregullatori të tillë nuk po garanton çmime më të sakta për një periudhë të paktën dy javore.

Këtë kërkesë për krijimin e një rregullatori për çmimet e naftës, e ka kërkuar Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, në një prononcim për Gazetën Alo.

Javën e kaluar është premtuar që mund të ketë një zbritje prej 3 cent në çmimin e derivateve pasi një zbritje e tillë është vërejtur edhe në tregun ndërkombëtar, mirëpo në Kosovë një zbritje e tillë nuk ka ndodhur.

Në pyetjen e drejtuar nga Gazeta Alo, Fadil Berjanit, ky i fundit ka thënë se çmimet e karburanteve janë gjithmonë në lëvizje dhe pas një rënie të lehtë, ka prapë një rritje të lehtë.

“Sa i përket çmimit të karburanteve, gjithmonë çmimet janë në lëvizje dhe te ne ka pas një rënie të lehtë të çmimeve, por sipas informatave që kemi, prapë çmimet janë në rritje të lehtë. Dihet se çmimet i dikton Berza dhe organizata prodhuese OPEC, megjithatë, qytetarët janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në rajon”, ka thënë Berjani, për Gazetën Alo.

Berjani më tutje ka shtuar se Kosova sikur të kishte një rregullator apo agjension siç e ka Maqedonia, do të kishim mundur që të siguronim çmime më të sakta për të paktën një periudhë dy javore.

“Sikur Kosova të kishte një rregullator apo agjension, ne do të kishim mundur të garantonim çmime më të sakta për një periudhë dy javore siç e ka Maqedonia. Ne kemi kërkuar një rregullator të tillë por ka hasur në vesh të shurdhër”, ka përfunduar Berjani, për Gazetën Alo.

Rritja e çmimit të karburanteve ka shkaktuar protesta masive në Paris të Francës, ku protestuesit e revoltuar përveç se kërkojnë uljen e çmimeve të karburanteve, janë duke kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit francez, Emannuel Macron./Gazeta Alo