Fjalë Kyçe

Rrënohen stanet e shqiptarëve në Mal të Zi, Haradinaj thotë se nuk kishin leje

Rrënohen stanet e shqiptarëve në Mal të Zi, Haradinaj thotë se nuk kishin leje

Stanet e kosovarëve që gjenden në bjeshkën e Ishtedimit në Mal të Zi u rrënuan, planifikohet të ndërtohet një qendër për ski, raporton T7

Para shumë dekadave shqiptarët i ndërtuan stanet në bjeshkët e Ishtedimit në Mal të Zi.

Por, mundi i tyre shkoi huq të hënën, kur shteti malazez vendosi t’i rrënojë.

Këtë vendim malazezët e morën pasi në këtë pjesë po synojnë të ndërtojnë një qendër për ski.

Për rrezikun e rrënimit të këtyre staneve T7 raportoi muajin e kaluar, derisa kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj kishte thënë që do të bisedonte me autoritet malazeze për të gjetur një kompromis.

Por, përfaqësuesi i këtyre banorëve, Fatmir Gërvalla, thotë se ani pse kishin njoftuar disa herë Ramush Haradinajn, nuk kishin marrë përgjigje zyrtare nga ky i fundit.

E kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë për T7 se stanet e rrënuara nuk kanë pasur leje.

Ndërkohë, banorët po paralajmërojnë protesta nëse nuk merren vesh dy shtetet.

T7 ka pyetur përmes emalit zyrtarisht zyrën për informim të qeverisë malazeze rreth kësaj çështje, por kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje gjatë së martës.