Fjalë Kyçe

Rreth 100 mijë kosovarë në vit kërkojnë viza për në Gjermani dhe Zvicër

Rreth 100 mijë kosovarë në vit kërkojnë viza për në Gjermani dhe Zvicër

Rreth 100 mijë kosovarë në vit kërkojnë viza nga Ambasada e Gjermanisë dhe nga ajo e Zvicrës.

Një përqindje e madhe e kërkesave për vizë refuzohet, ndërsa në disa raste ato jepen për afat të shkurtër kohor.

Lëvizja e lirë vazhdon të jetë sfidë e pakalueshme për qytetarët e Kosovës edhe në vitin 2019. Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave është vështirësuar, kështu ka deklaruar para disa ditëve për gazetën “Zëri” ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha.

Pavarësisht se Kosova i ka përmbushur kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, ende nuk është bërë asnjë hap konkret që do t’i hapte udhë këtij procesi.

Por me gjithë vështirësitë qytetarët e Kosovës nuk rreshtin së kërkuari viza nëpër ambasada. Kërkesat e tyre për të dalë jashtë vendit janë të mëdha.

Sipas statistikave të dërguara për gazetën “Zëri”, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë brenda viteve 2017 dhe 2018 i ka pranuar rreth 100 mijë kërkesa për viza.

Zyrtarët e kësaj Ambasade thonë se edhe për vitin 2019 pritet i njëjti numër kërkesash si në dy vjetët paraprakë.

Ndërsa në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë shqyrtohen rreth 200 aplikacione në ditë për viza. Në këto dy shtete, Gjermani dhe Zvicër, është e përqendruar diaspora kosovare, prandaj ka kërkesa më të mëdha për viza.