Fjalë Kyçe

Rreth 2 milionë euro më shumë shpenzime këtë vit se në zgjedhjet e kaluara

Rreth 2 milionë euro më shumë shpenzime këtë vit se në zgjedhjet e kaluara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se është në fazën përmbyllëse sa i përket pagesave që kanë të bëjnë me shpenzimet e procesit zgjedhor të 6 tetorit. Pra, ende nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me raportin përfundimtar të shpenzimeve, mirëpo pritet që kostoja të jetë më e lartë për rreth dy milionë se ajo e zgjedhjeve të kaluara, shkruan Gazeta Metro.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një prononcim për Gazetën Metro ka thënë se sa i përket këtyre zgjedhjeve, mjetet e planifikuara kanë qenë në shumë rreth 5.7 milionë euro, mirëpo për shifrën e saktë të shpenzimeve flet raporti i plotë për shpenzimet zgjedhore, i cili është duke u përgatitur, ndërsa publikimi i tij bëhet brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve.

‘Dihet që për këto zgjedhje mjetet e planifikuara kanë qenë në shumë rreth 5.7 milionë euro, por se sa nga kjo janë shpenzuar ne nuk mund ta themi këtë pasi jemi në përgatitje e sipër të raportit të shpenzimeve. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të publikojë një raport të plotë për shpenzimet zgjedhore dhe mënyrën e shpenzimit. Koha se kur duhet të bëhet ky publikim, sipas ligjit, është brenda 60 ditëve prej ditës së shpalljes së rezultateve’, kaq thënë ai.

Elezi tutje ka theksuar se sa më shumë të zgjasë procesi zgjedhor, rritet kostoja përfundimtare e tij, kurse zgjedhjet e 6 tetorit kanë zgjatur më shumë se ato të vitit 2017 dhe 2014.

‘Sa më shumë që zgjatë procesi zgjedhor kjo ndikon në koston përfundimtare të tij. Zgjedhjet e 6 tetorit kanë zgjatur më shumë se ato të vitit 2014 dhe 2017, megjithatë duhet të presim këtë raport të shpenzimeve të zgjedhjeve për të bërë krahasime se sa është kjo kosto më e lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara’, ka përfunduar Elezi për Gazetën Metro.

Sa i përket kostos së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014 dhe 2017, shpenzimet për zgjedhje ishin rreth 4 milionë euro, ndërsa pritet që për këtë vit kjo kosto të jetë më e lartë për rreth 2 milionë euro.