Fjalë Kyçe

Rreth 45 mijë kosovarë vizitojnë Turqinë për pushime në vit

Rreth 45 mijë kosovarë vizitojnë Turqinë për pushime në vit

Referuar statistikave të vitit të kaluar, rreth 45 mijë kosovarë vizitojnë Turqinë në vit, e që në krahasim me vendet e tjera të rajonit, del të jetë në shkallë më të lartë. Sipas kompanive të udhëtimit në Kosovë, kjo përqindja është shumëfishuar në këtë vit, duke u bazuar edhe në rezervimet që kanë filluar qysh nga muaji janar i këtij viti.

Ani pse shkalla e varfërisë në Kosovë është e lartë, sipas kompanive, një gjë e tillë nuk vërehet shumë kur krahasohet me udhëtimet. Por ndryshe thonë qytetarët. Në vend se të mendojnë për pushimet, ata thonë se kanë halle të tjera.

Agim Mehmeti thotë se në Kosovë nuk ka të ardhura të mjaftueshme, që të kenë mundësi të shkojnë diku për pushime.

“Momentalisht nuk i kanë, është papunësi e madhe, nuk kanë të ardhura të nevojshme për me shfrytëzu të drejtën të paktën një herë në vit me shku në pushime, në Shqipëri ose në Ulqin, në Mal të Zi ose në disa vende të tjera bregdetare…Situata ekonomike, fajtor është situata ekonomike, njerëz të pa punë, nuk po e gjejnë vetën, po e kryjnë fakultetin e nuk po munden me gjet vetën, shëtitin, bredhin rrugëve”, thotë ai.

I frustruar me sistemin politik në vend, Hysen Hasani thotë se ka hall tjetër, në vend se të mendojë se ku do të kalojë pushimet.

“ Qe qitu… nuk ka pare, ku me i marrë paret… krejt kryeministrat prej 99’tës e deri sot, asnjë nuk kemi më të mirë, krejt janë zero. Ata nuk merren me punësim, merrën me çështje të veta personale, për xhepa të vet, për interesa të veta, për klane të veta…atyre nuk iu intereson popullata, as zhvillimi ekonomik”, shprehet ai.

E Arben Berisha thotë se pushimet do t’i kalojë në Shqipëri ose Turqi, megjithatë sipas tij, jo të gjithë kanë mundësinë që të zgjedhin vendin se ku do të shkojnë për shkak të kostos së lartë të udhëtimit.

“Jemi me dy mendje ose me shku në Shqipëri ose Turqi, po varësisht si do të gjejmë ofertat që i marrim… Nuk i kanë të gjithë mundësitë me shku sepse ka kosto të lartë të udhëtimit, janë akomodimet atje, shpenzimet, çmimet më të shtrenjta janë, duke pasur parasysh që në tregun e Kosovës i kanë çmimet më të lira, por mezi po mbijetojmë”, tregon ai.

Një gjë të tillë e thotë edhe Fahrije Krasniqi.

“Nuk i kanë të gjithë mundësitë, kush mundet shkon, kush nuk mundet nuk shkon… këta që nuk i kanë mundësitë rrinë në shtëpi, shumë keq”, ka thënë ajo.

Por ndryshe thonë kompanitë e udhëtimeve në Kosovë. Sipas Fidane Ymerit, menaxhere e agjencisë së udhëtimeve, Fibula Travel, interesimet për rezervime kanë filluar qysh nga muaji janar.

“Ne i ofrojmë të gjitha destinacionet, varësisht prej kërkesës së klientit të gjitha i ofrojmë, mirëpo edhe këtë vit, prapë mbetet Antalya, destinacioni më i kërkuari për momentin. Antalyan e ofrojmë duke filluar nga 299 euro, do të thotë varësisht nga hoteli që zgjedhin… Në çmim janë të përfshira, akomodimi në hotel, bileta e aeroplanit, taksa e aeroportit, të gjitha. Fillon me 299, pastaj kanë mundësi me zgjedh, 300, 500, e mos të flasim tutje, varësisht prej xhepit të klientit edhe prej kërkesës që ai vendos për me u akomodu”, thotë Ymeri.

Agjencia e udhëtimeve ‘Fibula’, këtë vit si ofertë të re ka edhe Egjiptin. Ymeri thotë se numrin e madh të udhëtimeve e argumentojnë fluturimet që kanë gjatë javës.

“Kemi fluturime nëntë herë në javë, kështu që kjo e argumenton numrin dhe kërkesat që kemi. Nëntë herë në javë, kemi fluturime të rregullta, direkte për Antalya”, thotë ajo.

Një gjë të tillë e thotë edhe Fisnik Dragusha, drejtor menaxhues në ‘Vas Tour Travel’, i cili për KosovaPress, thotë se kanë qenë shumë aktiv që nga janari, për të udhërrëfyer klientët të cilët rezervojnë në konceptin e hershëm, për shkak të zbritjeve që mund të përfitojnë.

“Interesimi është shumë i madh, tash edhe me ardhjen e diasporës, rritet edhe më shumë, sepse zakonisht siç e dimë duhet të jem falënderues jo vetëm për sektorin e turizmit por çdo sektorë, por ardhja e diasporës e gjallëron pak, i jep zjarr tregut, dhe kjo ndikon në numrin e rezervimeve që normalisht shtohen. Si destinacione përveç Shqipërisë, e cila është bërë e shtëpisë, mbetet Turqia. Këtë vit ka një tendencë të kërkesës së destinacioneve të ndryshme, mirëpo prapë se prapë Turqia është e pamundur të konkurrohet prej Spanjës, Greqisë, e cila është ende problematike për shkak të vizave apo ndonjë destinacion si Bullgaria apo Kroacia”, tregon ai.

Sipas Dragushës, gjatë këtij viti vërehet një ngritje prej më shumë se 100 përqind të rezervimeve, krahasuar me vitet e kaluara.

“Kosova ka një numër nëse e marrim Turqinë, prej 45 mijë, nëse i referohemi statistikave të vitit të kaluar 42 deri ne 45 mijë pasagjerë. Saktësisht 42 mijë e 800 kanë qenë në vitin e kaluar…Në kuadër të kompanisë tonë bëjnë pjesë afër 40 përqind të shumës në atë që ofrojmë në regjion. Deri tani 35 përqind të kapaciteteve janë shitur, rritje e rezervimeve të shitura ka mbërritur në 35 përqind, diçka që para dy tri viteve ka qenë 10 përqind, 15 përqind, maksimumi 20 përqind. Në këtë vit vërehet një ngritje prej më shumë se 100 përqind të vlerës së rezervimeve që jemi mësuar të shohim në të kaluarën”, shton ai.

Sipas tij, gjendja ekonomike në Kosovë është po e ngjashme me Maqedoninë ose Shqipërinë, mirëpo në raport me statistikat, 45 mijë kosovarë në Antalya në vit, maqedonasit afër 22 mijë dhe qytetarët e Shqipërisë afro 30 mijë, për çka thotë se kjo tregon që për kosovarët nuk është pengesë fare buxheti që kanë.