Çmimet e produkteve bazë për familjet kanë shënuar rritje që nga gushti i vitit të kaluar për 3 deri në 6 përqind.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë për rritje të çmimit të konsumit nga mielli, mishi, pemët dhe disa ushqime të tjera, raporton KTV.
Sipas statistikave, në muajin prill, buka dhe drithërat kanë pësuar rritje për 11.6 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët 1.6 përqind.
Në rritjen e çmimeve të konsumit ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të importit dhe të prodhimit gjatë kësaj periudhe.
Por, krahasuar me të ardhurat dhe pensionet mujore të qytetarëve, çmimet e produkteve ushqimore janë të larta.
Qytetarët ankohen, duke thënë se për të mbushur një shportë familjare me produktet më elementare të konsumit, me çmimet që janë aktualisht, as paga 1 mijë euro nuk i mbulon.
Ndikim në rritjen e çmimeve ka pasur edhe vendosja e taksës 100 përqind për produktet serbe dhe boshnjake në nëntorin e vitit të kaluar.