Fjalë Kyçe

Rruga e trëndafilave nga Kenia në Kosovë

Rruga e trëndafilave nga Kenia në Kosovë

Sapo hap derën, të deh aroma e luleve. Në atë hapësirë të madhe dhe të mbyllur, ku fabrikohet trëndafili lloj-lloj ngjyrash, punojnë vetëm gratë. Janë afro 100. Mysafirët i përshëndesin me mirësi, pa e ndalur punën. Iu shkon buza në gaz, kur dëgjojnë se aroma e bukur e trëndafilave mahnit ata që nuk janë mësuar të jetojnë përditë me këto lule.

Është mahnitës edhe kontrasti që reflekton midis trëndafilave të bardhë, si bora e pashkelur e maleve, dhe duarve me ngjyrë që i rregullojnë ata nëpër tufa, shkruan sot Koha Ditore.

Peizazh pastërtie. Gra të veshura me uniforma e kapela të vëna mbi flokët e ngjitura, skajet e të cilave dalin vetëm pak mbi ballë ose skaj veshëve.

Ajo aromë të ndjek pas kudo, brenda, por edhe jashtë hapësirës 40- hektarëshe, ku gjendet ferma e luleve më të bukura-trëndafilave afrikanë që udhëtojnë përtej kontinentesh. Vijnë edhe në Kosovë. Edhe në Shqipëri.

Ata janë mbjellë, janë ujitur, janë rritur dhe fabrikohen në kontinentin e zi, Afrikën e largët, për të cilën pakkush e di se është vendi ku prodhohen lulet më të kërkuara në botë, trëndafilat.

Janë dy shtete të këtij kontinenti, Ekuadori dhe Kenia, të cilat njihen si prodhueset dhe eksportueset më të mëdha të luleve në botë. Lulet e tyre dërgohen edhe në kontinentet më të largëta, siç është Australia dhe Zelanda e Re. Evropa, si kontinenti më i vjetër, është edhe tregu më i vjetër i shitjes së luleve afrikane.

Në Kosovë e Shqipëri këto lule udhëtojnë falë punës shumëvjeçare që ka bërë Shpëtim Redo nga Dibra e Shqipërisë. Ai rrëfen për “Kohën Ditore” rrugën e jetës së tij, duke thënë se ka migruar prej 30 vjetësh në Austri, ku ka jetuar dhe punuar. Por, që prej tetë vjetësh jeton në Nairobi, bashkë me familjen, ku merret me tregtinë e luleve dhe turizmin në Safari.

Ai ndërmjetëson tregtinë me lule nga Nairobi për në tri vende të Evropës: Angli, Shqipëri dhe Kosovë. Redo ishte marrë me fushën e turizmit prej 25 vjetësh në Austri.