Fjalë Kyçe

“Rruga është e jona, s’guxoni ta shfrytëzoni”, kushërinjtë në Suharekë përleshen për pronë, përfundojnë në Polici

“Rruga është e jona, s’guxoni ta shfrytëzoni”, kushërinjtë në Suharekë përleshen për pronë, përfundojnë në Polici

Mosmarrëveshja për pronë ka shkaktuar një përleshje mes kushërinjve në fshatin Bllacë të Suharekës, mëngjesin e sotëm. Tre persona përfunduan në Polici pasi u kapën me kushërinjtë e tyre për një kontest pronësor.

Sinjali ka mësuar detaje se si dy familjet nga fshati Bllacë po vazhdojnë të kenë probleme për një kontest të pazgjidhur pronësor.

Anëtarët e dy familjeve janë përleshur në orën 08:00 të mëngjesit për shkak të një rruge që njëra familje shfrytëzon për të kaluar.

Për shkak se tre të dyshuarit nuk merreshin vesh me kushërinjtë e tyre është dashur të intervenojë Policia e Kosovës.

Me të dalë në vendin e ngjarjes, tre personat e dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor për t’u intervistuar. Edhe viktimat, kushërinjtë e tyre janë shoqëruar për t’i marrë deklaratat lidhur me rastin.

Sipas viktimave, tre të dyshuarit u kanë shkaktuar në vazhdimësi probleme për një rrugë të përbashkët, duke mos i lejuar të njëjtit të kalojnë në atë rrugë. Sipas të dyshuarve rruga që u bë mollë sherri u takon atyre.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se dy palët e përfshira në këtë rast janë në kontest gjyqësor në lidhje me pronën për të cilën janë përleshur.