Rusia thotë se shumë pacientë me koronavirus kanë vdekur për shkaqe tjera, por disa nuk pajtohen me këtë
Para se të vdiste në spital në Moskë më herët këtë muaj, Liubov Kashaeva 74-vjeçare, dy herë testoi pozitive për koronavirus. Mirëpo, vdekja e saj nuk i është atribuuar virusit. I është atribuuar kancerit, nga i cili vuante ajo, shkruan agjencia Reuters.
“Në certifikatën e vdekjes…thuhet se ajo ka vdekur nga tumori malinj”, ka thënë reja e Kashaevas, Daria Kornilova. “Koronavirusi nuk është përmendur në ndonjë vend”.
Kashaeva është një nga mijëra rusë të infektuar me koronavirus, vdekja e të cilëve i është atribuuar shkaqeve tjera.
Rusia ka numrin e dytë më të madh të infektuarve në botë, në total 299.941 dhe 2837 vdekje. Kjo i bie një mesatare 1.88 për 100 mijë rusë, sipas Universitetit John Hopkins.
Shifra ekuivalente në SHBA është 27.61 për 100 mijë amerikanë dhe në Britani 52.45.
Rusia e ka mbrojtur mënyrën se si i numëron vdekjet nga koronavirusi.
“Ne i dimë mjaft mirë gjitha karakteristikat e COVID-19”, ka thënë patologu Oleg Zairatyants, autori i udhëzimeve të Departamentit të Shëndetësisë në Moskë për autopsitë për rastet me koronavirus. “Për fat të keq njerëzit po vdesin, por shkaqet e vdekjes së tyre janë të qarta për ne”.
Mirëpo, familjarët e disa pacientëve të vdekur kundërshtojnë këtë vlerësim se familjarët e tyre do të vdisnin edhe pa virusin.
Kashaeva ishte diagnostikuar në janar me kancer të zorrëve në shkallën më të avancuar. Por, ajo ishte paraparë të fillonte me kemioterapi dhe familja priste që ajo të jetonte më tepër.
Më 3 maj, Kashaeva u dërgua në spital pasi ndjehej keq. Fotografimi i mushkërive tregoi se ajo kishte pneumoni në dy mushkëritë, një simptom i zakonshëm te të infektuarit me koronavirus, dhe dy teste që iu bënë, dolën pozitive. Më 8 maj, Kashaeva vdiq.
“Koronavirusi mbyti gjyshen tonë, kjo është e sigurt dhe ne jemi duke mbajtur zi. Po të mos ishte koronavirusi, me kemioterapi ajo do të qëndronte edhe një kohë me ne”, ka thënë Kornilova.
Moska, epiqendra e shpërthimit të koronvirusit në Rusi, ka thënë se 60 për qind e personave të vdekur që ishin të infektuar me koronavirus në kryeqendër në prill, nuk janë futur në numrin total të vdekurve nga virusi. Janë shënuar shkaqe tjera për vdekjen e tyre.
Në ato raste është shënuar “probleme katastrofale vaskulare (sulm në zemër apo në tru), sëmundje malinje të shkallës së fundit dhe sëmundje tjera të pashërueshme”.
Departamenti Shëndetësor i Moskës ka thënë se mënyra se si i llogarit Rusia të vdekurit nga koronavirusi është shumë më e saktë sesa ajo e shteteve tjera.
Rritja e numrit të vdekurve mund t’i atribuohet rritjeve të infeksioneve akute respiratore sezonale, përfshirë edhe COVID-19, që ka shtyrë përparimin e sëmundjeve kronike, është thënë nga departamenti.
Kornilova vlerëson se si të klasifikohet vdekja e vjehrrës së saj “varet nga vija e partisë”.
Kremlini nuk i është përgjigjur kërkesave për koment për raste individuale dhe nëse Rusia me qëllim po mban ulët numrin zyrtar të vdekurve nga koronavirusi.
Tatyana Golikova, zëvendës-kryeministre e Rusisë, ka mohuar ndonjë falsifikim të statistikave.
Ndryshe nga shumë shtete, Rusia mbështetet në analizat post-mortem për të vendosur nëse vdekja e një personi të infektuar është shkaktuar nga virusi.
Disa mjekë, thonë se kjo është arbitrare.
“Të themi thjeshtë, asnjëri nuk vdes ‘nga’ një virus. Njerëzit vdesin si rezultat i komplikimeve të shkaktuara nga virusi”, ka thënë Alexey Erlikh, kreu i njësitit për kujdes intensiv në repartin e kardiologjisë në spitalin e Moskës, që është caktuar për të trajtuar edhe personat me koronavirus. “Por, ata vdesin edhe nga komplikimet në sëmundjet kronike që shkaktohen nga virusi. Disa njerëz besojnë se vdekjet e tilla nuk bën të llogariten si vdekje nga koronavirusi. Unë them se duhet. Në këtë linjë jam me disa nga kolegët e mi, ata top-mjekë fotografitë e të cilëve gjenden në gjithë qytetin”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk sheh problem me qasjen e Rusisë.
“Është e mundur që të bëhen rinumërime apo ndonjë gjë tjetër, por p;ër tash nuk shoh nonjë gjë serioze”, ka thënë Melita Vujnoviq, përfasqësuese e OBSH-së në Rusi.
Disa rusë mbesin skeptik.
Leo Shlykov, menaxher i komunikimit në Moskë humbi babanë më 11 maj pas një testimi pozitiv me koronavirus dhe 11 ditëve të kaluar në ventilator. Ai thotë se babanë do ta shtrinin në spital më herët po të dinin se njerëzit po vdesin nga COVID-19.
Në certifikatën e vdekjes nuk është shkruar koronavirus si shkak.
“Po, ai kishte pësuar sulm në zemër disa orë më pa, po, ai kishte dështim renal dhe diabet, por po të mos ishte koronavirusi, do të ishte ende gjallë”, ka thënë Shlykov.