Fjalë Kyçe

Sa i kanë kushtuar buxhetit të shtetit udhëtimet e ministrit Rifat Latifit? Këto janë të dhënat zyrtare

Sa i kanë kushtuar buxhetit të shtetit udhëtimet e ministrit Rifat Latifit? Këto janë të dhënat zyrtare

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi shquhet për vizita të shpeshta jashtë vendit. Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Gazeta Express ka siguruar të dhënat zyrtare nga MSh se sa i kanë kushtuar buxhetit të shtetit udhëtimet e tij që nga marrja e mandatit.

Për nëntë muaj (janar-shtator 2022), ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka shpenzuar 2 mijë e 990 euro për bileta të aeroplanit për gjashtë udhëtime. Tri udhëtime ministri Latifi i ka realizuar në Austri dhe tri të tjera në Norvegji, Turqi dhe Greqi. Për këto udhëtime bashkë me një tjetër vizitë në Shqipëri, ministri Latifi ka shpenzuar edhe 2 mijë e 461 euro për akomodim dhe ushqim.

Biletën më të shtrenjtë që e ka paguar ka qenë ajo për udhëtimin në Turqi që është realizuar në datat 21-25 mars 2022, shuma e biletës është 792.59 euro. Në këtë udhëtim ministri Latifi i ka shpenzuar edhe 225 euro shtesë që MSh i klasifikon si “Shpenzimet para xhepi/ ushqim”.

Për udhëtimin në Austri të realizuar në datat 13-19 gusht 2022, ministri Latifi ka paguar biletë me shumën 633.57 euro. Në këtë udhëtim, ministri Latifi ka shpenzuar edhe 1 mijë e 102 euro, për akomodim dhe ushqim. Pra, 425.70 euro për akomodim dhe 677.16 euro për shpenzimet “para xhepi dhe ushqim”.


Një biletë aeroplani prej 508.51 euro ministri Latifi e ka paguar për një udhëtim tjetër në Austri, të cilin e ka realizuar në datat 13-16 korrik. Për këtë udhëtim nga buxheti i shtetit ai ka shpenzuar edhe 706.86 euro. Nga kjo shumë 255.42 euro janë paguar për akomodim dhe 451.44 euro për shpenzimet “para xhepi dhe ushqim”.

Bileta e aeroplanit për udhëtimin e ministrit Latifi në Greqi, shtetit të Kosovës i ka kushtuar 440.05 euro. Në këtë udhëtim ministri ka shpenzuar edhe 284 euro të tjera për ushqim.

Në dy udhëtime, ministri ka refuzuar t’i shpenzojë paratë e shtetit për akomodim dhe ushqim. Në vizitën e tij në Norvegji ai ka paguar nga paratë e tij 1 mijë e 253 euro, ndërsa në një udhëtim tjetër në Austri ai ka shpenzuar 1 mijë e 400 euro nga paratë e tij.

Në tabelat më poshtë mund të lexoni më shumë detaje rreth shpenzimeve të udhëtimeve të ministrit Latifi.