Velipoja ka çelur sezonin turistik qysh herët dhe rruga e re pritet të shtojë numrin e turistëve.
E bekuar nga natyra me detin dhe rërën, edhe zhvillimi i rrjetit të hotelerisë me shërbimin dhe çmimet që ofron e bën atë konkuruese dhe të pëlqyer për pushuesit dhe turistët.
Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Shkodrës, Gentian Mema, thotë se çmimet variojnë nga 20 euro deri në 80 euro vetëm për fjetje, pa përfshirë ushqimin.
Mema: Çmimet janë goxha të konkurueshme, shumë të mira. Varion nga periudha dhe cilësia e hotelit. Ka hotele shumë të mira që ofrojnë shërbime shumë të mira. Nata varion 70-80 euro për dhomë. Fillon nga 20 euro nata, flas në periudhën e pikut. Ka edhe shtëpi pritëse, jo bujtina, nuk ofrojnë ushqim.
Një pjesë shumë e mirë e turizmit zhvillohet mbi shtëpi pritëse.Çmimi i tyre përsëri varion edhe nga afërsia e vijës së rërës. Por përgjithësisht me një mesatare, Velipoja mbetet me çmime mjaft konkuruese. 70-80 euro janë dy-tre hotele që ofrojnë, por shërbimi është në kushte mjaft të mira, me pishina, shërbim shumë të mirë, restorante shumë të mira.
Velipoja ka një kapacitet hotelier prej 25 mijë shtretërish, ndërsa vitet e fundit ka edhe një zgjatje të sezonit që nis në maj dhe përfundon në tetor, në varësi edhe të kohës.