Fjalë Kyçe

Sa mund të ndikojë varianti Delta te gratë shtatzëna dhe a duhet marrur vaksina anti-COVID?

Sa mund të ndikojë varianti Delta te gratë shtatzëna dhe a duhet marrur vaksina anti-COVID?

Varianti Delta i coronavirusit po dominon rastet në mbarë botën, dhe zyrtarët shëndetësorë në disa vende po alarmojnë mbi ndikimin e tij tek gratë shtatzëna.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, disa nga zyrtarët kryesorë shëndetësorë të Anglisë lëshuan një deklaratë të përbashkët të premten, duke iu bërë thirrje grave shtatzëna të vaksinohen kundër coronavirusit.

Ata vunë në dukje të dhënat e reja që tregojnë se 98 për qind e grave shtatzëna të shtruara në spital me COVID-19 në vend që nga maji ishin të pavaksinuara.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) gjithashtu ka thënë më parë se gratë e infektuara, shtatzëna përballen me një rrezik në rritje për të zhvilluar sëmundjen e rëndë të COVID-19, në krahasim me gratë jo shtatzëna të një moshe të ngjashme.

Një shqetësim është se rreziku mund të jetë edhe më i lartë me variantin Delta, që ka treguar të jetë më ngjitës dhe mund të shkaktojë sëmundje më të rënda në krahasim me variantet e mëparshme të virusit.

Ja çka duhet të dini.

A është varianti Delta më i rrezikshëm nëse jeni shtatzënë?

Varianti Delta është më ngjitës dhe mund të shkaktojë sëmundje më të rënda për të gjithë, përfshirë edhe te gratë shtatzëna.

Të dhënat e fundit të mbledhura nga Sistemi i Mbikëqyrjes Obstetrike në Mbretërinë e Bashkuar (UKOSS) treguan se numri i grave shtatzëna që janë shtruar në spital me COVID-19 po rritet në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të variantit Delta, raporton CNN, përcjell Telegrafi.

“Krahasuar me virusin origjinal COVID-19, variantet e reja (alfa dhe pastaj delta) shkaktuan sëmundje më të rënda në gratë shtatzëna”, tha Andrew Shennan, profesor i obstetrikës në King’s College London në një deklaratë për Qendrën e Mediave Shkencore në Mbretërinë e Bashkuar. “Kjo përfshinte nevojën për ventilim, pranimin në kujdes intensiv dhe pneumoni”, shtoi ai.

Të dhënat e mbledhura nga UKOSS tregojnë se rreth 33 për qind e grave në spital me COVID-19 kishin nevojë për mbështetje të frymëmarrjes dhe se 15 për qind kishin nevojë për kujdes intensiv.

Të dhënat e UKOSS përfshijnë vetëm gratë shtatzëna. Sidoqoftë, grupi tha se derisa rritja e shtrimeve në spital ishte gjerësisht në përputhje me rritjen aktuale të pranimeve në spitale me COVID-19 në popullatën e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar, të dhënat nxjerrin në pah një rritje në mesin grave shtatzëna që kanë nevojë për kujdes për simptomat akute.

Por çfarë për sa i përket rreziqeve për foshnjën?

Studimet e mëparshme kanë treguar se infeksioni me COVID-19 ngre rrezikun e rezultateve negative për nënën dhe foshnjën. Këto rreziqe përfshijnë preeklampsinë, infeksionet, pranimin në njësitë e kujdesit intensiv në spital dhe madje edhe vdekjen.

Sipas një studimi të muajit prill të publikuar nga JAMA Pediatrics që monitoroi mbi 2,000 gra shtatzëna në 43 institucione mjekësore në 18 vende, foshnjat e lindura nga nënat e infektuara me coronavirus ishin gjithashtu në një rrezik disi më të lartë për lindje të parakohshme dhe peshë të ulët të lindjes.

Të dhënat e reja të mbledhura nga UKOSS treguan se një në pesë gra të shtruara në spital me simptomat serioze të COVID-19 vazhduan të lindnin para kohe, dhe gjasat e lindjes me prerje cezariane u dyfishuan. Një në pesë foshnje të lindura nga nëna me simptoma të coronavirusit u pranuan gjithashtu në njësitë neonatale.

A është vaksina e sigurt për gratë shtatzëna?

Po. Studimet dhe të dhënat e “botës reale” kanë treguar se nuk ka shqetësime specifike të sigurisë për gratë shtatzëna ose për foshnjat e tyre në marrjen e një vaksine të COVID-19.

“Qindra mijëra gra shtatzëna në të gjithë botën janë vaksinuar, duke u mbrojtur në mënyrë të sigurt dhe efektive nga COVID-19 dhe duke zvogëluar në mënyrë dramatike rrezikun e tyre për sëmundje serioze ose dëmtim të foshnjës së tyre”, tha Gill Walton, shefja ekzekutive e Kolegjit Mbretëror të Mamive në Mbretërinë e Bashkuar në një deklaratë të premten.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe Grupi Këshillimor Teknik i Australisë për Imunizimin, të gjitha këshillojnë që gratë shtatzëna të marrin një vaksinën kundër COVID-19. OBSH thotë se gratë shtatzëna duhet të marrin vaksinën në situata kur përfitimet e vaksinimit tejkalojnë rreziqet e mundshme – të tilla sikurse nëse ato jetojnë në zona me numër të madh të rasteve, raporton CNN, transmeton Telegrafi.

Disa vende madje i kanë dhënë përparësi imunizimit te gratë shtatzëna. Qeveria australiane tha se kushdo që është shtatzënë dhe mbi moshën 16-vjeçare mund ta marrin vaksinën tani, edhe pse aplikimi i ngadaltë i vaksinimit atje do të thotë se vetëm ata mbi moshën 40-vjeçare aktualisht kanë të drejt për vaksinim në mesin e popullatës së përgjithshme.

Provincat kanadeze sikurse Ontario dhe British Columbia gjithashtu i kanë dhënë përparësi vaksinimit për gratë shtatzëna.

Por pikëpamja është e përzier në të gjithë botën. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins (JHU), 20 vende aktualisht rekomandojnë përdorimin e vaksinës Covid-19 te gratë shtatzëna, ndërsa 39 e lejojnë atë.

Ndërkohë 33 vende të tjera lejojnë vaksinat në disa situata – për shembull nëse nënat në pritje përballen me rrezik të shtuar për t’u infektuar me Covid-19 për shkak të punës së saj ose nëse ka sëmundje ekzistuese që i vë ato në rrezik të zhvillimit të sëmundjeve të rënda.

Sipas të dhënave të JHU, 51 vende ose nuk e rekomandojnë fare vaksinën gjatë shtatzënisë, ose vetëm në kushte të caktuara. Vendet përfshijnë Gjermaninë, e cila ka përmendur mungesën e të dhënave të sigurisë si arsye për pozicionin e saj, sepse gratë shtatzëna nuk ishin pjesë e testimeve të sigurisë. /Telegrafi/