Fjalë Kyçe

Sa rrezikohen milionat e buxhetit nga vendimi për mbylljen e lojërave të fatit?

Sa rrezikohen milionat e buxhetit nga vendimi për mbylljen e lojërave të fatit?

Në një seancë të jashtëzakonshme, të enjten mbrëma, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm, duke shfuqizuar edhe Ligjin e deritashëm për lojërat e fatit.

Me shfuqizimin e këtij ligji, veprimtaria i është ndaluar edhe Lotarisë së Kosovës, e cila do të jetë e mbyllur deri në rregullimin me një ligj të veçantë.

Deputetët, të përkrahur edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës morën këtë vendim pas dy vrasjeve që ishin raportuar nga policia, të cilat kishin ndodhur në hapësirat e kazinove. Po ashtu, një pjesë e opozitës kishte tërhequr edhe vërejtjen se vendimi paraprak i autoriteteve në Shqipëri që t’i ndalojë lojërat e fatit, mund të ndikonte që shumë nga këto biznese të shtrijnë aktivitetin e tyre në Kosovë, kështu që ishin kërkuar masa parandaluese.

Ligji i ri që ndalon bizneset e lojërave të fatit, mori 69 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim. Por, paraprakisht në debat pati kundërshtime dhe mospajtime.

Mospajtimet, vazhdojnë edhe më tutje, jo për shkak të ndalesës, por për shkak të formës së si është marrë vendimi. Droja që ekonomistët, por edhe disa deputetë e shprehin, ndërlidhet me procedurat e shpejta që u ndoqën për mbylljen e këtyre bizneseve.

Në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) nuk kanë dashur të japin një qëndrim lidhur shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe ndalimin funksionimit të këtyre bizneseve për 10 vjetët e ardhshëm.

Kurse, ish-kreu Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, këtë vendim të institucioneve shtetërore e vlerëson si veprim të pamenduar, të ngutshëm dhe eksperiment të rrezikshëm. Sipas tij, në vend pezullimit të ligjit dhe mbylljes së bizneseve, institucionet është dashur të marrin përgjegjësi dhe t’i kryejnë detyrat e tyre monitoruese.

“Nuk është zgjidhje vetëm pezullimi i Ligjit ose mbyllja e lojërave të fatit. Shumë më me rëndësi është rritja e përgjegjësive institucionale dhe individuale, të ketë standarde dhe kritere që duhet të përmbushen, sepse në fund të fundit, nëse dikush do të ketë goditje është buxheti i shtetit. Dhe, mbi të gjitha do të ketë edhe pasoja tjera, sepse pa marrë parasysh fushë-veprimtarinë e tyre, do të ketë 5 deri në 15 mijë të papunë. Prandaj, mendoj se vendime të tilla, më parë duhet të analizohen, të ketë informacione nga të gjithë akterët relevantë dhe tek atëherë të vendoset për një pezullim të tillë”, vlerëson Gërxhaliu.

Por, ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbylljen e lojërave të fatit e kishte cilësuar si një prej vendimeve të mëdha të Qeverisë së tij.

“Çdo ligj e ka koston e vet financiare, sa herë që votojmë një ligj ka edhe koston financiare. Kosto janë të gjitha, edhe ajo që mungon në buxhet. Por, pastaj edhe kalkulimet se çfarë ndodh me atë para, e cila nëse nuk përfundon në këto lojëra, çfarë ndodhë me të? Ajo para në një mënyrë apo tjetër, qarkullon në ekonominë e vendit dhe në mënyra tjera buxheti prapë i ka të hyrat e veta”, ishte shprehur Haradinaj në konferencën për gazetarë, pas votimit të projektligjit në Qeveri.

Kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Lojërave të Fatit, Istref Veliu, në një bisedë telefonike për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se vendimi i institucioneve shtetërore për mbylljen e bizneseve të lojërave të fatit, lë të papunë katër deri në pesë mijë persona.

Ai ka thënë se si shoqatë, kanë vendosur që momentalisht të mos flasin lidhur me zhvillimet e fundit, pasi janë duke shqyrtuar veprimet e mëtejme.

I pyetur efektin që mund të ketë mbetja papunë, e afër pesë mijë qytetarëve, dhe pa milionat që qarkullojnë në këtë sektor, kryeministri Haradinaj, tha se me gjithë koston ata po ndalin “një kaos dhe abuzim total”, në këtë fushë-veprimtari.

“Sa i përket vendeve të punës jemi të gatshëm të interesohemi si t’i trajtojmë të gjithë ata të ri e të reja që ndoshta kanë punuar, por ju e dini se mundësitë, megjithatë, janë të kufizuara, pra është një mundësi e vështirë( e gjetjes së një vendi të punës). E kemi pasur shqetësim për njerëzit që janë punësuar (në këto biznese), për familjet, por është një llogari e bërë, vërtetë pasojat e këqija kanë qenë më të mëdha se sa të mirat. Është një kaos total, një abuzim total, është mirë që po ndalen. Ne e kemi kryer pjesën tonë. Ata që kanë pasur pikëpamje për ne, ne ua kemi kthyer sot”, kishte theksuar kreu i qeverisë.

Me procedurat e shpejta që çuan në ndalimin e lojrave të fatit kishte vërejtje edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo thotë se miratimi, shpejtë e shpejtë i ligjit për ndalim të lojërave të fatit mund të jetë bumerang, pasi sipas saj lojërat e fatit do të mund të lulëzojnë ilegalisht.

Kohë më parë, Qeveria e Kosovës kishte pranuar që t’i paguante një “penalti” (gjobë) prej 53 milionë euro kompanisë Bechtel &Enka për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore të kontratës. Një histori e tillë, sipas Safet Gërxhaliut, buxhetit të Kosovës mund t’i përsëritet edhe tani me lojërat e fatit, për shkak të licencave të bizneseve.

“Definitivisht duhet të ketë shumë më tepër monitorim, ngritje të standardeve dhe plotësim të tyre. Por, mbi të gjitha, nëse jepen licencat ato paguhen dhe si do të revanshohen – si do të kthehet pagesa e licencës deri në 300 mijë euro. Vërtetë është një lojë shumë e rrezikshme, dhe në fund të fundit, këtë lojë dhe këtë eksperiment institucional do ta paguajnë qytetarët e Kosovës, sepse është një shkelje e Kushtetutës. Mbi të gjitha, ata që kanë këto licenca do të kërkojnë të drejtën e tyre, qoftë përmes gjykatës ose arbitrazhit ndërkombëtar, prandaj është një nguti, sikur vendimet e tjera dhe kjo është duke e dëmtuar Kosovën në forma të ndryshme”, tha Gërxhaliu.

Kazinotë dhe qendrat e basteve sportive, kanë qenë mjaft të frekuentuara nga një pjesë e qytetarëve. Por, disa nga qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se e mbështesin vendimin për mbylljen e këtyre bizneseve.

Avni Hajdini nga Drenasi, e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës:

“Ky vendim është i mirëseardhur se kjo nuk është një lojë e mirë. Kjo e çon popullin vetëm prapa, nuk e çon përpara. Këto nuk janë të mira…”.

Të dëmshme për shoqërinë i vlerëson këto lojëra, qytetari tjetër, Resul Tahiri, nga Fushë Kosova.

“Shumë njerëz shpëtojnë prej kësaj (loje), sepse kjo njëmend është një lloj sëmundjeje, edhe njerëzit shkojnë punojnë krejt muajin ose çdo ditë qysh punojnë, kur të shohin një bastore, hyjnë krejt ato para i lënë aty”, thotë ai.

Javën e kaluar, në një debat tjetër në Kuvendin e Kosovës, ministri i Financave, Bedri Hamza, kishte theksuar se në Kosovë nuk ka asnjë kazino të licencuar.

Njëjtë thonë edhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Në një përgjigje me shkrim të këtij institucioni, thuhet se në Kosovë nuk ka asnjë biznes të licencuar të kazinove.

“Numri i bizneseve të licencuara në veprimtarinë e lojërave të fatit, gjithsej është 46 subjekte: 23 me veprimtari baste, 17 me veprimtari automate dhe 6 me veprimtari bingo. Në veprimtarinë me baste, janë gjithsej 306 njësi të basteve/lokaleve. Në veprimtarinë automate janë gjithsej 133 lokale. Në veprimtarinë bingo janë 6 lokale. Në lojërat e kazinove nuk kemi të licencuar asnjë biznes deri më tani”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Por, ky numër nuk përputhet me të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), ku numri i bizneseve të regjistruara në veprimtarinë e lojërave të fatit është 395, prej tyre 342 biznese aktive dhe 42 të shuara.

Sipas të dhënave në ueb-faqen e ARBK-së, prej bizneseve aktive në këtë fushë, ka të tilla që kanë me dhjetëra njësi/lokale, që përsëri përputhet me të dhënat e ATK-së.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur mbi 1 milion e 700 mijë euro nga gjobat ndaj këtyre bizneseve, për mosrespektim të Ligjit për lojërat e fatit.

15 milionë e 874 mijë euro, është shuma totale e akcizës që kanë paguar bizneset e lojërave të fatit, gjatë vitit 2018. Ndërsa, një vit më herët, më 2017, nga akciza për këto biznese në arkën e shtetit kanë shkuar 12 milionë e 479 mijë euro.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit vjen pak javë, pasi brenda pak ditësh, në dy kazino në qytete të ndryshme, u vranë dy persona.