Neymar Junior ka folur për të ardhmen e tij, duke e bërë të qartë se për momentin synon ta respektojë kontratën me Santosin, e cila skadon në muajin dhjetor.
Përkundër problemeve të kohëpaskohshme, legjenda braziliane nuk e ka ndërmend të largohet këtë verë nga klubi i fëmijërisë së tij, ku u kthye pas eksperiencës në Evropë dhe në Arabinë Saudite.
“Kam kontratë deri në dhjetor me Santosin. Synimi im është ta respektoj atë, të nderoj fanellën e Santosit në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pas do të mendoj se çfarë do të bëj: nëse do të vazhdoj te Santosi, do të transferohem diku tjetër apo do t’i jap fund karrierës”, deklaroi sulmuesi brazilian në kanalin e tij në Youtube, përcjell “Gazeta Express”.
34-vjeçari theksoi se aktualisht nuk dëshiron ta marrë një vendim të nxituar dhe se është i përqendruar vetëm te ndeshjet e ardhshme me klubin brazilian.
“Nuk e di ende se çfarë do të bëj. Ka ende kohë deri në dhjetor. Do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje. Fizikisht ndihem mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Tani mendoj vetëm për ndeshjen e radhës”, shtoi Neymar.
Pas përfundimit të aventurës me Kombëtaren e Brazilit, ish-futbollisti i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit dëshiron ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë me Santosin, ndërsa vendimin përfundimtar mbi të ardhmen e tij do ta marrë vetëm pasi t’i përfundojë kontrata në fund të vitit.