Menaxheri i Chelsea Maurizio Sarri nuk është përshëndetur me kolegun e tij të bankës nga City, Pep Guardiola, pas përfundimit të takimit, të cilin skuadra e tij e humbi me rezultat të thellë 6:0.
Sarri vetëm kaloi pranë Guardiolas, duke u drejtuar në zhveshtore, derisa trajneri i “qytetarëve” mbeti i habitur pasi po përgatitej t’i zgjaste dorën.
Megjithatë, Guardiola u përshëndet me ndihmësin e Sarri, Gianfranco Zolla, i cili edhe vetë ishte i befasuar me gjestin e shefit të tij, transmeton KosovaPress.
Menaxheri i Cityt pas takimit sqaroi gjithë situatën e krijuar.
“Bisedova me Zolla dhe ai më tha se Sarri nuk më kishte parë. Ne jemi në marrëdhënie të mira dhe nuk ka kurrfarë problemesh”, tha Guardiola. Nëse Sarrit i kishte “rënë terr në sy” pas humbjes së thellë, kjo mbetet të shihet.
Pak më vonë, ai vetë shpjegoi se për çfarë bëhej fjalë.
“Thjesht, nuk e kam parë. Vetëm desha të shkoja në zhveshtore”, tha Sarri. Chelsea para pak javësh ishte në pozitën e katërt në Premier Ligës, ndërsa tash ka rënë në vendin e gjashtë.
Manchester United ka një pikë më shumë, derisa Chelsea ka 50 pikë po aq sa edhe Arsenali, kështu që lufta për vendin e katërt që çon në Ligën e Kampionëve do të jetë e paqartë deri në fund të kampionatit.