Fjalë Kyçe

SBASHK tregon se a do të mbahet pushimi pranveror për shkollat fillore dhe të mesme

SBASHK tregon se a do të mbahet pushimi pranveror për shkollat fillore dhe të mesme

Kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës çdo ditë e më shumë po përplas Ministrinë e Arsimit me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Derisa, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka marrë vendim që orët e humbura të zëvendësohen 5 ditë nga pushimi pranveror, 5 ditë të shtuna dhe 5 ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019, SBASHK-u një kërkesë të tillë ka vendosur që mos ta zbatojë, shkruan Gazeta Alo.

Madje, kjo e fundit më 4 mars të këtij viti ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padi ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ndërsa, pikërisht tani kur edhe po ofrohen ditët që të fillojë pushimi pranveror për shkollat fillore dhe të mesme sipas kalendarit të publikuar nga MASHT-i për vitin shkollor 2018-2019, në SBASHK thonë se ky pushim do të mbahet dhe orët nuk do të kompensohen.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë për Gazetën Alo se pushimi do të mbahet sipas kalendarit që e ka publikuar vet MASHT-i.

“Po pushimin që e ka publikuar vet ministria në kalendarin e punës për vitin 2018-2019, pra pushimi kur është pranveror ne do ta konsiderojmë pushim dhe mësimdhënësit dhe nxënësit do të pushojnë në mënyrë që datën e fundit të mësimit të jenë sa më të përgatitur për ta përmbyllur sa më mirë vitin shkollor në të cilin jemi tani”, ka thënë Jasharaj.

Ndërsa, i pyetur rreth vendimit të Gjykatës Themelore pasi është thënë se kjo e fundit ka hedhur padinë e SBAHSK-ut, Jasharaj ka thënë se gjykata  ka hedhur poshtë vetëm njërën nga kërkesat e sindikalistëve, atë të pezullimit të vendimit nga ministri Bytyqi, deri në marrjen e një vendimi meritor lidhur me padinë.

“Gjykata nuk e ka hedhur poshtë padinë e SBASHK-ut, por nuk e ka pranuar kërkesën tonë që e kemi bërë që të pezullohet vendimi i ministrit dhe deri në momentin kur gjykata do të vendos , në letrën që na ka dërguar neve thuhet që gjykata nuk e sheh të udhës që ta pezullojë vendimin por do të mbajë seancë të rregullt dhe do të sjellë vendim karshi ligjeve ekzistuese dhe ne jemi të sigurtë që gjykata do të sjellë një vendim ashtu siç duhet, pra nuk e ka hedh poshtë padinë por nuk e ka pa të udhës që ta pezullojë për një kohë të caktuar vendimin e ministrit Bytyqi, pra gjykata do të mbajë seancë dhe do të sjell vendim meritor me padinë që e kemi bërë ne’, ka deklaruar ai për Gazetën Alo.

Jasharaj, ka pohuar se qëndrimi tyre për kompensimin e orëve të humbura tashmë është publik.

“Qëndrimi jonë ka qenë publik edhe gjatë grevës edhe pas grevës dhe qëndrimi ynë është që asnjë orë e humbur nuk do të kompensohet as të shtunave , as në pushim pranveror e as në fund të vitit dhe madje ne vendimin e kemi dërguar edhe në gjykatë dhe po presim tash vendimin e gjykatës, dhe e kemi thënë edhe publikisht se çfarë të vendos gjykata qoftë edhe nëse nuk na pëlqen vendimi ne do të veprojmë sipas atij vendimi’, ka thënë ai.

Kurse, për paralajmërimin e djeshëm se mund të hyjnë në grevë nëse vazhdohet me presion për kompensimin e orëve të humbura, Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit nuk mund të obligohen përmes presioneve që të punojnë.

Paralajmërimin e djeshëm po e kemi bërë ngase kemi informacione se në disa shkolla drejtorët e shkollave dhe drejtorët e drejtorive po përpiqen që përmes presioneve t’i obligojnë dhe t’i detyrojnë mësimdhënësit që të punojnë gjë që është e padrejtë dhe është shkelje e të drejtave të njeriut dhe ne dje iu kemi drejtuar kryetarëve të komunave të Kosovës që t’i ndalin këto presione sepse vendimi është i ministrit dhe ata nuk kanë nevojë të merren me vendimin e ministrit por ta respektojnë ligjin e grevave i cili nuk obligon askënd që të zëvendësojë orët . SBASHK-u mbetet në qëndrimin që e ka deklaruar publikisht, orët nuk do të zëvendësohen”, ka deklaruar Jasharaj për Gazetën Alo.

Ndryshe, sistemi arsimor në Kosovë ishte në grevë për tri javë rresht. Kjo për shkak se sindikalistët kërkonin rritje pagash./Gazeta Alo/