Ambasadori Amerikan në Beograd, Kyle Scott, ka thënë se Washingtoni nuk tërheq “vija të kuqe” kur është fjala për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ai ka thënë po ashtu se në zemër të marrëveshjes Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Kurir”, Scott ka thënë se SHBA-ja do të mbështes çdo zgjidhje për të cilën merren vesh të dyja palët, e e cila mund të qëndrojë dhe të jetë afatgjate.
“Ne nuk tërheqim ‘vija të kuqe’, nuk përcaktojmë se çfarë do të ndodhë, dhe nëse ajo që ata merren vesh stabilizon rajonin, nëse ajo mund të zbatohet dhe të jetë e përhershme, atëherë me siguri se do ta mbështesim. Presim që vet palët të arrijnë marrëveshje nën ombrellën e Bashkimit Evropian”, ka thënë Scott, transmeton Koha.net.
I pyetur në lidhje me emërimin e Philip Reekerit me detyrë Ballkanin nga administrata amerikane, Scott ka thënë se ai nuk ka zgjidhje për Kosovën siç është spekuluar ditëve të fundit.
“Druaj se mediat serbe lirshëm spekulojnë pa asnjë fakt. Philip Reeker kah mesi i muajit do të marrë postin e shefit të zyrës evropiane dhe do të ketë shumë punë në rend të ditës, përfshirë marrëdhëniet me Rusinë, me Turqinë e me Bashkimin Evropian, pastaj çështjet që kanë të bëjnë me qëndrimin e përbashkët të SHBA-së dhe BE-së, dhe sfida tjera nëpër botë. Ai është person që di shumë për rajonin e Ballkanit, ka qenë ambasador yni në Maqedoni. Zemra e tij është ende në Ballkan, i intereson shumë se çfarë ndodhë këtu, është i vetëdijshëm se ky proces duhet të lëvizë përpara, por nuk besoj se ka ndonjë plan në xhep dhe se do ta detyrojë dikë të bëjë diçka”, shtoi ai.
Ambasadori amerikan tha se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë edhe shumë gjëra tjera, siç janë marrëveshja për marrëdhënie ekonomike, zgjidhjen e statusit të kishës ortodokse serbe, çështjen e personave të zhdukur, krimet e luftës, e të tjera.
“Ka shumë elementë që duhen përfshirë në marrëveshje, por ne besojmë se njohja reciproke duhet të jetë në zemër të marrëveshjes për normalizim”, deklaroi Ambasadori Amerikan në Beograd, Kyle Scott.