Kafshimet e gjarprit helmues janë përgjegjëse për 138,000 vdekje çdo vit në botë.
“Në stinën me shira, fushat janë të mbushura me barëra të këqija”, ka thënë Tukaram Rao, punëtor në fermë nga fshati Rathnapuri në Karnataka, Indi. “Ne duhet të dalim në mes të atyre netëve për të ndezur pompën e ujit për fushën. Ndonjëherë nëse tubat e ujit janë të shkëputur, ne ecim përgjatë gypit të ujit duke e ndjerë atë me duar për ta rregulluar”.
Si shumë punëtorë fermash në Indi, Rao dhe fqinjët e tij ecin përreth këmbëzbathur. Por, fshehja nën degë është më shqetësuese se rrjedhja në gypat e ujit. Ky është mjedisi perfekt për nepërkën Russell, një gjarpër helmues, i madh dhe me ngjyrë toke që gjendet në shumë zona rreth Indisë dhe në disa pjesë të Azisë Jugore.
Këta gjarpërinj janë kryesisht aktivë gjatë netëve dhe janë grabitqarë mjeshtër të pritës, duke mbetur palëvizur për periudha të gjata para se ta sulmojnë egërsisht prenë e tyre. Ata kryesisht gjuajnë brejtës ose bretkosa të vogla që lëvizin nëpër shtegun e tyre në fushat ku ushqehen – këto gjarpërinj nuk janë të interesuar në njerëz. Megjithatë, ata janë përgjegjës për më shumë kafshime dhe vdekje në Indi se sa çdo specie tjetër e gjarpërinjve. Nepërka Russell llogaritet të jetë përgjegjëse për 43 për qind e kafshimeve të gjarprit në Indi dhe për 30-40 për qind në Shri Lankë.
Arsyeja për këtë është mënyra se si ata gjuajnë. Të ngadaltë në atë formë sa duken të palëvizshëm, ata hapin rrugë përmes barit, kamuflazhi i tyre i gjelbër dhe kafe i bën ata pothuajse të padukshëm ditën, transmeton Koha. Natën është e pamundur që ata të dallohen. Për fermerët që punojnë në fusha apo mes bimëve të gjata, gjarpërinjtë lehtë shkelen apo shqetësohen nga ta. Dhe kur ata ndjehen të rrezikuar, nepërka Russell shpejt bëhet agresive, duke sulmuar me dhëmbët e saj.
Janë rreth 2.8 milionë raste të kafshimeve të gjarpërinjve në Indi çdo vit dhe 50,000 vdekje. Në dy dekadat e fundit, më shumë se 1.2 milionë njerëz kanë vdekur nga ta në Indi, sipas një analize, raporton BBC. Në botë, mendohet se kafshimet e gjarpërinjve shkaktojnë mes 81,000 dhe 138,000 vdekje çdo vit.
Por, përveç vdekjes, kafshimi i një gjarpri shkakton pasoja të rënda të tjera. Ato mund të lënë të mbijetuarit me plagë që i ndryshojnë jetën. Rao tregon rastet e amputimit nga kafshimi i gjarprit helmues.
Nga rreth 4.5 milionë njerëz të cilët kafshohen nga gjarpërinjtë në botë çdo vit, rreth 2.7 milionë burra, gra dhe fëmijë kanë mbetur me lëndime të rënda, thotë organizata “Global Snakebite Initiative”.
“Rreth 400,000 njerëz në vit kanë mbetur me aftësi të kufizuara afatgjate të tilla si vdekja e qelizave që çon në amputim, shfytyrim dhe verbëri”, ka thënë Laura Oana Albulescu, e cila ka studiuar gjarprin helmues në Shkollën e Liverpoolit.
“Kafshimet e gjarpërinjve janë një problem më i madh se që mendojnë njerëzit”, sqaron Leslie Boyer, drejtoreshë e Institutit për reagim emergjent, farmaceutik dhe të helmimit në Universitetin e Arizonas. Organizata Botërore e Shëndetësisë konsideron se kafshimet e gjarpërinjve janë një barrë e madhe në disa komunitete, sa që ata tash vonë e kanë klasifikuar injektimin e helmit nga kafshimi i gjarprit si sëmundje tropikale të neglizhuar.
Kafshimet e gjarpërinjve tash njihen si një nga problemet më të rëndësishme shëndetësore të lëna pas dore në botë, dhe që prek në mënyrë disproporcionale komunitetet e varfra.