Fjalë Kyçe

Serbët tentojnë ta largojnë pllakatin me simbole nga komuna e Kllokotit

Serbët tentojnë ta largojnë pllakatin me simbole nga komuna e Kllokotit

Para një orë e gjysmë, disa zyrtarë të komunës së Kllokotit kanë tentuar që ta heqin pllakatin me simbole të Republikës së Kosovës nga objekti i komunës së Kllokotit, e cila u vendos pesë ditë më parë.

Njëri nga zyrtarët komunalë nga komuniteti shqiptar, i cili ka qëlluar në vend të ngjarjes, ka rrëfyer për “Kohën Ditore” se si ka ndodhur ngjarja. I njëjti ka kërkuar që të mbetet anonim, duke qenë se tanimë me rastin është duke u marrë Policia e Kosovës.

“Afro dy orë më parë, qëllova pranë turmës së disa zyrtarëve serbë, të cilët e kishin në duar pllakatin. Aty erdhi nënkryetari i komunës, Sasha Mirkovic bashkë me drejtorin e Kadastrit, Dejan Llajkovic dhe këta të dy i kanë urdhëruar shërbyesit civilë të komunës, që ta marrin pllakatin, ta largojnë prej objekti dhe ta dëmtojnë. Unë kam tentuar t`i pengojë, duke qenë se ajo çfarë ata po tentonin të bënin, ishte e kundërligjshme. U kam thënë se nëse është rrëzuar nga erërat, duhet të vendoset sërish. Mirëpo, serbët tentuan që me forcë ta marrin pllakatin dhe ta largojnë. Pas kësaj, e kam thirrur ndihmën e Policisë së Kosovës. Me të ardhur policia, e kanë penguar veprimin e serbëve dhe kanë kërkuar që pllakati të vendoset ku ka qenë. Pastaj, serbët janë larguar, kanë shkuar për të thirrur qytetarë të tjerë serbë që të dalin e ta bëjnë këtë punë të madhe, por asnjë qytetarë nuk ka dalë. Njëkohësisht, as shqiptarët nuk janë përzier. Po shihet se qëllimi i tyre ka qenë që këtë punë ta bëjnë të madhe e ta shndërrojnë në konflikt”, ka thënë ky zyrtar në kushte anonimiteti.

Sipas të njëjtit, tanimë pllakati me urdhër të Policisë është vendosur në vendin ku ka qenë dhe se rasti është duke u hetuar.