Serbia ‘evropiane’ e Aleksander Vuçiqit vazhdon që t’i nderojë kriminelët serbë të cilët kanë drejtuar ushtrinë dhe kanë vrarë e masakruar civilë të pafajshëm shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në fillim të majit e kishin përzgjedhur një gjeneral të dënuar për krime lufte që të drejtonte një paradë ushtarake në Nish. Bëhet fjalë për Vladimir Lazareviqin, ish-komandant i armatës së tretë që ka vepruar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë në Prishtinë. Lazareviq ishte dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Ndërsa sot shteti serb ka vendosur që aeroportin ushtarak të Batajnicës ta emërojë me emrin e pilotit serb Milenko Pavlovic, komandant i Regjimentit të Aviacionit, që kishte vdekur në vitin 1999, duke ofenduar kështu SHBA-në, NATO-n e BE-në.
Siç shkruan mediumi serb B92 “Pavlovic ishte mbytur duke mbrojtur Serbinë nga bombardimet e NATO-s”, transmeton Gazeta Express.
Pavolovic kishte vdekur më 4 maj të vitit 1999 në aeroplanin e tij ‘Mig 29”, në afërsi të Valjevos.
Më herët shteti i Serbisë e kishte dekoruar atë me një urdhër të lartë shtetëror, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe i kishte dhënë familjes së tij “Urdhrin e Shenjtë”, për punën e tij.
Aeroporti i Batajnicës është më i madhi aeroport ushtarak që kishte funksionuar edhe në ish-Jugosllavi.
Serbia vazhdimisht është duke u armatosur me aeroplan e mjete ushtarake të cilat i blenë nga Rusia dhe është shteti që investon më shumë në ushtri se të gjitha shtetet tjera të Ballkanit.