Një muaj paraburgim autoritetet serbe ia kanë caktuar ish-zyrtarit policor të Njësisë Speciale Operative (NJSO), Arbnor Spahiu, dy ditë pasi e ndaluan.
Këtë e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci, që shkroi në Facebook se do të niset për në Suboticë pas këtij vendimi, derisa vendimin e cilësoi të padrejtë dhe të motivuar politikisht “dhe pa asnjë provë apo bazë faktike”.
Koci, i angazhuar për mbrojtjen e Spahiut, ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës të angazhohen direkt në këtë rast, duke kërkuar reagim publik edhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
“Arbnor Spahiut, ish-zyrtarit policor të Njësisë Speciale Operative (NJSO), pas dy ditësh ndalimi, sot i është caktuar masa e paraburgimit njëmujor në Serbi. Ky vendim është i padrejtë, i motivuar politikisht dhe pa asnjë provë apo bazë faktike. Kërkoj angazhim të drejtpërdrejtë të shtetit të Kosovës – jo vetëm nga Ministria e Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd – por edhe reagim të qartë dhe publik nga Kryeministri dhe Presidentja e vendit. Sepse asnjë qytetar i këtij vendi nuk guxon të lihet vetëm, kur përsekutohet padrejtësisht. Punën që nuk po e bën shtetit i Kosovës – po më duhet ta bëj unë”, ka shkruar Koci.
Spahiu është marrë në pyetje nga autoritetet serbe lidhur me sulmin në Banjskë, që kishte ndodhur në shtatorin e 2023-s, ndonëse ish-zyrtari policor ishte larguar nga Policia e Kosovës në nëntorin e 2021-s.