Fjalë Kyçe

Shala dhe Lipa nënshkruajnë marrëveshje, nga viti i ardhshëm “Sunny Hill Festival” të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë

Shala dhe Lipa nënshkruajnë marrëveshje, nga viti i ardhshëm “Sunny Hill Festival” të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin ekzekutiv të “Sunny Hill Festival”, Dukagjin Lipa, që ky festival, me renome ndërkombëtare, nga viti i ardhshëm të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë të Prishtinës.

Shala tha se ka bërë realitet premtimin e dhënë muaj më parë, ndërsa e ka dëshmuar se promovimi i turizmit kulturor vazhdon të mbetet njëri ndër prioritet e tij si ministër.

“Ishte kënaqësi qe së bashku me z. Lipa ta nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimin për festivalin, i cili e ka kthyer Kosovën në hartën e turizmit kulturor. Me përkushtimin maksimal kemi arritur t’i krijojmë edhe lehtësirat e duhura që ky festival të organizohet edhe në ambiente më të mira.

‘Sunny Hill Festival’ do të organizohet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë të Prishtinës, e cila është ndërtuar me investime të mëdha të Qeverisë së Kosovës. Ne gjithmonë së bashku do të bëjmë më të mirën për rininë e vendit”, theksoi Shala.

Shala tregoi që kjo qendër është njëra ndër investimet e shtetit tonë, që është shfrytëzuar minimalisht deri më tani, por kjo po ndryshon tani, sidomos me ardhjen e Sunny Hill Festival në këtë hapësirë, e cila do të promovohet maksimalisht dhe do të bëhet destinacion për ngjarjet më të mëdha publike në Kosovë.

“Të gjitha investimet e vendit tonë duhet të shfrytëzohen nga qytetarët për qytetarët dhe në të mirë të vendit. Ne duhet të jemi bashkë për shtetin tonë,”, tha ministri Shala.

Ndërsa Lipa tha se nga viti i ardhshëm festivali më i madh në Kosovë, i cili e promovon rininë dhe vendin tonë në çdo kontinent, do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë.

“Jemi shumë falënderues ndaj ministrisë për ndihmën që po ia jep festivalit. Festivali nuk merr ndihmë tjetër prej Qeverisë së Kosovës. Po shpresojmë se së shpejti për rininë e Kosovës do të bëjmë më të mirën. Me një proaktivitet të veçantë dhe me shpejtësi ministri Shala e ka përfunduar këtë punë dhe zotim. Ju presim vitin e ardhshëm në Bërnicë”, theksoi Lipa.

Qendra e Panaireve në Bërnicë është investim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe nga tash “Sunny Hill Festival”, do ta adaptojë dhe investojë në pjesën e jashtme të qendrës, në veçanti.