Fjalë Kyçe

Shala: Gjithmonë kemi besuar tek dashuria dhe shpresa

Shala: Gjithmonë kemi besuar tek dashuria dhe shpresa

Kandidati për deputet nga radhët e Partis Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ndryshe prej takimeve të shumta me qytetarë gjatë fushatës zgjedhore, kësaj herë Shala i kushton një shkrim bashkëshortes së tij dhe jetës së vlershme me të.

Shala në faqen e tij zyrtare, Facebook shkruan për sfidat dhe sakrificat që ka përjetuar ai dhe bashkëshortja e tij, Sala Berisha-Shala, dhe përkundër këtyre asnjëherë nuk u dorëzuan duke iu përkushtuar çlirimit dhe zhvillimit të vendit, transmeton Gazeta Alo.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Një kafe me gruan time, Salen.
Me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë po e kuptojmë se sa pak kohë paskemi pasur për njëri-tjetrin.

Rrugëtimi ynë jetësor na ka përplasur në gjithfarë sfidash, por gjithmonë bashkë ia kemi dalë mbanë.

Jemi rritur bashkë me idealet e këtij vendi. Bashkë kemi rënë në burg kur kemi qenë fare të rinj, por s’jemi thyer asnjëherë.

Jemi përballuar me izolimin, me diferencimin … edhe me skamjen, por gjithmonë kemi besuar tek dashuria dhe shpresa.

Kur më zgjodhi mua – ajo zgjodhi dhe një fat ndryshe nga shumë shoqe të saj. Në dhomën e bashkëshortësisë sonë më shumë ndrynin libra “të ndaluar” dhe armë, se sa pajë e nusërisë së saj.

Gjatë kohës së luftës shpesh kishte marrë edhe lajme morti për mua, por ajo nuk ishte ligështuar … gjithmonë ka besuar se një ditë do t’ia dilnim.

Kur e kishte vënë firmën në Deklaratën e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, bashkë me emrin e saj e ka shkruar emrin tim.

Edhe nëse s’e patëm kohën e mjaftueshme ne na përmbushi dhe na mjaftoi dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin”.