Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se ministria që drejton si njëra ndër ministritë kryesore që përkujdeset për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë është duke mbajtur një rol aktiv në disa procese të rëndësishme reformuese që ndërlidhen ngushtë me procesin e reformës shtetërore si dhe zvogëlimin e barrës administrative dhe thjeshtëzimin të lejeve dhe licencave në Kosovë.
“Sa i përket shërbimeve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me projektin e BE-së ka përfunduar rishikimin e legjislacionit vendor ku është analizuar se a është në harmoni me Direktivën e BE-së 2006/123/KE. Direktiva e Shërbimeve synon të lehtësojë themelimin dhe ofrimin e shërbimeve në vendet tjera anëtare dhe të ofrojë shërbime ndërkufitare mes vendeve anëtare të BE-së. Gjatë rishikimit të legjislacionit 54 ligje dhe akte nënligjore janë identifikuar që duhet të plotësohen/ndryshohen”, tha Shala gjatë raportimit në Grupin e Veçantë të Administratës Publike.
Shala bëri të ditur se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka hartuar Ligjin për Shërbime i cili trans-pozon pjesërisht Direktivën e BE-së Nr.2006/123/KE për Shërbimet në tregun e brendshëm.
“Trans-pozimi i pjesërishëm i Direktivës së Shërbimeve i mundëson Kosovës që hapja e tregut të bëhet në mënyrë progresive dhe të mbrohen bizneset vendore”, tha ai.
Sipas ministrit Shala Ligji për Shërbime Nr. 05/L-130 është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ka hyrë në fuqi në muajin mars 2017 dhe bazuar në Ligjin për Shërbime 05/L-130 janë hartuar dy udhëzime administrative:
Udhëzim Administrativ për Procedurën e Njoftimit dhe Vlerësimin e Përputhshmërisë së Projekt Akteve Normative me Ligjin për Shërbime. (është aprovuar nga Qeveria e Kosovës me 23 Mars 2018) dhe udhëzimi Administrativ për Mënyrën e Funksionimit të Pikës së Vetme të Kontaktit
“Me këtë Udhëzim Administrativ, që është në procedurë të konsultimit publik, rregullohet mënyra e funksionimin të Pikës së Vetme të Kontaktit për Shërbime që ka për qëllim t’ua lehtësojë ofruesve dhe përfituesve të shërbimeve, qasjen. Kosova gjithashtu ka negociuar edhe Protokollin Shtesë 6 (AP6) në kuadër të CEFTA-s, ku Kosova është e përkushtuar të krijojë një kornizë institucionale pra, një Pikë Kontakti për Shërbimet (PKSh). Sa i përket themelimit të Pikës së Vetme të Kontaktit në kuadër të Direktivës së Shërbimeve dhe në kuadër të CEFTA-s, është menduar të kemi një portal të vetëm dhe jemi në hapat fillestar ku është hartuar Plani i Veprimit për themelimin e PVK. Ky proces do të bëhet në koordinim me institucionet relevantë përfshirë MZHE, MAP (ASHI), MTI (ARBK), ATK”, tha Shala.
Ministri tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur në fokus të posaçëm edhe aktivitete tjera që ndërlidhen me procesin e reduktimit të barrës administrative.
“Mund t’iu konfirmoj se MTI është një ndër institucionet e para në Kosovë që është duke e zbatuar procesin e thjeshtëzimit të lejeve dhe licencave që lëshohen nga agjencitë dhe departamentet përkatëse të MTI-së. Këtë aktivitet jemi duke e bërë në bashkëpunim të ngushtë me projektin “Klima e Investimeve II” të implementuar nga IFC/Banka Botërore dhe MTI ka identifikuar reformat e nevojshme”, tha Shala.