Pezullimi i taksës doganore, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shihet si një veprim i domosdoshëm që Prishtina zyrtare duhet ta ndërmarrë ditëve në vijim.
Kjo për të siguruar një rol më të madh amerikan në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, pritet që të zhvillojnë takimin e radhës më 1 korrik në Paris, ku sërish po ngritet edhe çështja e pezullimit të taksës doganore, qoftë edhe përkohësisht, për t’i dhënë rast dialogut.
Zëvendësdrejtori për Çështjet Evropiane dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ndihmojë në dialog nëse nuk hiqen tarifat. Ai tha se SHBA-ja pritet të luajnë një rol më të madh në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, por pengesë mbetet taksa apo tarifa doganore.
“Shpresoj që të gjendet një rrugë. Është e rëndësishme të kujtojmë që ndonëse tarifat janë pengesa e momentit, ato u vendosën për një arsye, në përgjigje të fushatës kundër njohjeve të Kosovës, që Serbia kishte filluar në organizatat ndërkombëtare. Këshilla e Qeverisë amerikane për Prishtinën është që tarifat duhet të hiqen, që të fillojë procesi i dialogut. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për rrethanat. Dhe kjo duhet marrë parasysh”, tha Erath.
Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Serbisë dhe Kosovës.
Edhe zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd ka folur edhe për çështjen e taksës, duke thënë se “duam që ajo të hiqet dhe në këtë mënyrë të dyja palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve”, tha Palmer, duke shtuar se taksa shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut.
Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe derisa nuk ka një kornizim të vet procesit të dialogut.
Sipas tij, taksa mund të pezullohet vetëm në rast të ndonjë marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të respektonte kufijtë ekzistues të dy shteteve dhe do të përmbyllej me njohje reciproke.
Këshilltarja për media e kryeministrit Ramush Haradinaj, njëherësh edhe zëdhënëse e Qeverisë së Kosovë, Donjeta Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo që ka theksuar kryeministri është se Kosova është e interesuar që të mos humbet kohë, por të ketë dialog të kornizuar, që çon në marrëveshje finale dhe ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke.
“Nëse do të kemi një takim të përbashkët që ka një limit kohor ku palët do të ulën në tavolinë dhe diskutojnë deri sa të arrihet kjo marrëveshje, atëherë që sigurisht që taksa të pezullohet për pak kohë deri të arrihet marrëveshje sigurisht, që do të hiqet në kohën kur do të kemi njohje reciproke nga ana e Serbisë. Në të kundërtën, nëse procesi i dialogut vazhdon të jetë i pakornizuar ose nuk ka një propozim për një alternativë tjetër të fokusimit në dialog përmbajtjesor, atëherë nuk ka kuptim të pezullohet apo të hiqet taksa”, tha Gashi.
Ndërkohë, analisti politik Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për shfuqizimin e taksës për të vazhduar dialogu, edhe pse Kosova, sipas tij, nuk e ka kushtëzuar dialogun, duhet të shqyrtohet nëse caktohet një agjendë konkrete e këtij dialogu.
Sipas tij, heqja e taksës do të duhej të ishte në funksion të një kornizimi të shkuarjes përpara të dialogut dhe jo të vazhdon në formatin e deritanishëm.
“Deri tani dialogu ka qenë pa ‘kokë’ do të thotë 7-8 vjet, ka vazhduar me idenë që të arrihet një moment kur do të normalizohen siç thuhet marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por për kundër jo që nuk janë normalizuar, por në plot fusha janë përkeqësuar”, tha Mushkolaj.
Zyrtarët e institucioneve të Kosovës kanë thënë se janë duke i bërë përgatitjet e duhura që në takimin e Parisit me delegacionin nga Serbia, i cili pritet të mbahet më 1 korrik, të shkohet me qëndrime të koordinuara.
Kurse, president i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka shprehur pasigurinë e tij nëse takimi në Paris do të mbahet.
“Nuk jam i sigurt nëse takimi në Paris do të mbahet. Jemi gati për këtë takim, por nuk mendoj se dikush dëshiron të dëgjojë edhe një herë se si dikush nuk do ta anulojë taksën. Prandaj, nuk jam i sigurt (nëse takimi do të mbahet). Ajo që është më e rëndësishme është se së bashku me partnerët gjermanë dhe francezë, ne të gjithë të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Këto janë gjëra më të rëndësishme sesa një, dy apo pesë takime”, është shprehur Vuçiq.
Takimi në Paris, më 1 korrik, do të jetë në vazhdën e takimit të Berlinit, i cili u mbajt më 29 prill, i iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun qysh në vitin 2011. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.