Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno nënshkruan sot një amendament në marrëveshjen dypalëshe për bashkëpunim zhvillimor në mes të Qeverisë së SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se me këtë amandament zotohen 34 milionë dollarë amerikanë shtesë nga Shtetet e Bashkuara, duke ngritur shumën totale të mjeteve të zotuara nga SHBA-ja sipas marrëveshjes në 198 milionë dollarë amerikanë, ndërsa të gjitha fondet do të administrohen nga
Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Të gjitha fondet i destinohen mbështetjes së Kosovës në rrugëtimin e saj drejt vetëqëndrueshmërisë.
Kushtet e marrëveshjes përforcojnë parimin se përkushtimi i Kosovës ndaj agjendës së saj zhvillimore, përfshirë edhe përmes prioriteteve të saj buxhetore, është çelës i suksesit të Kosovës.
USAID-i vazhdon t’u ofrojë mundësi si institucioneve ashtu edhe popullit të Kosovës për të punuar së bashku në përmirësimin e sundimit të ligjit, rritjen e zhvillimit ekonomik dhe promovimin e stabilitetit rajonal.
Nga viti 1999 e tutje, USAID-i ka investuar në emër të popullit amerikan mbi 920 milionë dollarë amerikanë në mbështetjen e rrugëtimit të Kosovës drejt vetëqëndrueshmërisë.