Fjalë Kyçe

Shefi i BE-së thotë se këtë javë do ketë takim në Bruksel për çështjen e targave

Shefi i BE-së thotë se këtë javë do ketë takim në Bruksel për çështjen e targave

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar sot kryeministrit kosovar Albin Kurtit, Raportin e Progresit, për të cilin tha se jep rekomandime dhe rezultate nga puna qeverisë.

Mes tjerash Szuyong theksoi përparimin e Kosovës në drejtim të disa reformave siç është lufta e korrupsionit dhe vendime përfundimtare në gjykata.

Tutje, ambasadori i BE-së foli edhe për procesin e dialogut dhe ecurinë e dy shteteve në këtë drejtim.

”Këtë javë ekspertët për çështjen e targave do takohen në Bruksel, dhe më duhet të them që BE e monitoron dialogun dhe varet nga Prishtina dhe Beogradi se si ata bien në dakord për shpejtësinë e negociatave”.

Ndërsa sa i përket kundërshtimeve të paraqitura në raport për procesin e Vettingut, ai tha se vetëm kanë dhënë rekomandime për hartimin e këtij procesi.

Szunyog tha se BE-ja nuk vë në pyetje çështjen e luftës kundër krimit e korrupsionit, kur u pyet për reagimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në disa komuna në vend, përfshirë edhe në veri.

“Nuk shoh kundërthënie në këto kërkesa dhe raporte, me deklaratën e lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Si BE nuk e vëmë në pyetje çështjen e luftës kundër krimit e korrupsionit. I bëjmë thirrje Qeverisë që të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim”.