Fjalë Kyçe

Sheholli: Me Radoiçiqin janë takuar të gjitha partitë shqiptare, pos Lëvizjes për Bashkim

Sheholli: Me Radoiçiqin janë takuar të gjitha partitë shqiptare, pos Lëvizjes për Bashkim

Drejtuesi i Institutit për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është takuar me të gjitha partitë shqiptare, përveç Lëvizjes për Bashkim.

Kjo deklaratë e Shehollit erdhi pas reagimeve të djeshme që erdhën nga eksponentë të partive shqiptare në Kosovë, ku gjuanin “akuza” ndaj njëri-tjetrit për takime zyrtare me Radoiçiqin nga njëra anë, dhe “akuza” për takime me kriminelë serbë nga ana tjetër.

Radoiçiq u sanksionua nga SHBA bashkë me Zvonko Veselinoviq, ku këtyre dy personave dhe disa të tjerëve si ta, SHBA ju referua si një “grup kriminal i organizuar”.

“Deklaratat e partive politike shqiptare ku thonë ‘ti je taku, na s’jemi taku…’, unë besoj se e kanë shumë gabim. Radoiciq është takuar me të gjitha partitë politike shqiptare, përveç me Lëvizjen për Bashkim”, është shprehur Sheholli.

“Me eksponentë të partive politike shqiptare. Bile në një deklaratë thotë se është takuar me të gjithë, me ish-presidentin…”, vazhdoi Sheholli.

“Kontakte të vazhdueshme ka pasur, ndoshta jo të drejtpërdrejta, por Rakiqi është kryetar i Listës Serbe, me të komunikon Kurti… ata pa aminin e Radoiçiqin ata nuk mund të marrin asnjë hap”, ka thënë Sheholli.

“Edhe VV-ja, edhe PDK-ja, edhe LDK-ja edhe AAK-ja, kanë pasur takime me të”, shtoi Sheholli.

Në mesin e personave të sanksionuar nga SHBA, përveç Radoiçiqit, është edhe një biznesmen nga Zveçani, Sinisha Nedeljkoviq, vëllai i Zvonko Veselinoviqit – Zarko, por edhe ish-zyrtari i lartë i Policisë së Kosovës, Zheljko Bojiq e të tjerë.

Po ashtu, krahas emrave të tyre, gjendet edhe një listë prej 24 kompanish me të cilat janë të lidhura dhe të cilat, me përjashtim të dy, janë të regjistruara përkatësisht në sistemin serb dhe atë kosovar. Dy të tjerët janë të regjistruar në Bullgari e Kroaci dhe janë të lidhur me Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiciq.