Fjalë Kyçe

Shehu: Vonimi i rezultateve të testimeve, rrezik për shpërndarjen e COVID-19

Shehu: Vonimi i rezultateve të testimeve, rrezik për shpërndarjen e COVID-19

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu, ka thënë se sot kanë rezultuar shtatë rasteve pozitive me koronavirus. Sipas tij janë bërë 11 testime dhe dy nga rastet e testuara kanë qenë nga Spitali Rajonal i Prizrenit, kurse pjesa tjetër janë raste të kontaktit.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në komunën e Prizrenit, janë 70 raste aktive.

Shehu ka shtuar se me ardhjen e Qeverisë Hoti, në vazhdimësi janë vonuar rezultatet e personave që janë testuar për COVID-19.

“Tashmë është një ndryshim sepse po thuhet se nuk ka nevojë që të testohen dy herë radhazi për të kuptuar nëse është i shëruar. Ndërkohë që në Komunë e Prizrenit, një problem që mund të theksohet është se në kohët e fundit dhe me ardhjen e Qeverisë Hoti na janë vonuar rezultatet, personat kanë pritur katër ditë për të marrë këtë rezultat”, ka thënë ai.

Sipas tij, çdo vonesë në këtë aspekt mund të rrezikojë për hapjen e koronavirusit.

Shehu tutje shton se në kohën e Qeverisë Kurti, ka pasur komunikim më të madh mes nivelit komunal dhe qendror.

Sipas tij, me udhëzimin e ri, personat që kanë simptoma të koronavirusit, i referojnë në spitalin rajonal pastaj ata i referojnë në QKUK.

Duke folur për kapacitetin e Klinikës Infektive në Spitalin Rajonal në Prizren, ai ka thënë se janë vetëm 25 shtretër.

Sipas tij, në rast të shtimit të rasteve mund të përdoren edhe repartet tjera për hospitalizim.

“Megjithatë kjo është kompetencë direkte e menaxhmentit të spitalit rajonal të Prizrenit dhe jo e nivelit lokal. Kosova dhe gjithë bota po përballen për herë të parë me një virus të tillë. Mund të them që 4 vjet nuk ka pasur specializime në Kosovë. Ato që janë dhënë para 4 vjetëve kanë qenë të centralizuara sepse ka vendos nivelin qendror”, ka thënë ai, duke shtuar se do të duhej të vendoste komuna e jo niveli qendror lidhur me specializimet.

Ndërkaq për lehtësimin e masave, ai ka thënë se rastet e infektimit janë shtuar edhe për shkak të mosrespektimit të masave nga qytetarët.

“Në qoftëse janë lëshuar masat për shkak të presionit edhe nga bizneset edhe nga komunitetet tjera, ato masa të cilat kanë filluar të lehtësohen kanë ndikuar në rritjen e numrit të infektuarve. Tashmë nuk janë vetëm familjarë por edhe raste tjera. Një problem tjetër është edhe se qytetarët nuk janë duke i respektuar masat”, ka thënë ai.