Fjalë Kyçe

Shërbimi Informativ i Shqipërisë: Rajoni i ekspozuar ndaj kërcënimeve

Shërbimi Informativ i Shqipërisë: Rajoni i ekspozuar ndaj kërcënimeve

Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) në Shqipëri ka paralajmëruar se të premten do të publikojë të plotë raportin vjetor të aktivitetit të vet për vitin 2021, ndërkohë që të mrëkurën publikoi disa gjetje që lidhen me 4 pika kryesore të punës së tij vjetore. Terrorizmi, krimi i organizuar, siguria në rajon dhe shërbimet e huaja në Ballkan u paraqitën në përmbledhjen e djeshme si problematika reale dhe me një shtrirje mjaft të gjerë.

Sipas raportit të SHISH-it, mjedisi i sigurisë në Ballkanin Perëndimor vijon të karakterizohet nga zhvillime të brendshme politike të brishta, që tregojnë se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sfidave, që vijnë si për shkak të faktorëve të brendshëm (problemet social-ekonomike, tensionet ndëretnike e ndërfetare, korrupsioni, krimi i organizuar), ashtu dhe të ndikimit të aktorëve të jashtëm, të interesuar për ta mbajtur të pandryshuar ose për të përshkallëzuar gjendjen e sigurisë dhe atë politike në rajon. Në vendet e tjera të rajonit, sipas raportit të SHISH, shërbimet jomiqësore të inteligjencës e kanë fokusuar aktivitetin në amplifikim të problematikave ndëretnike e ndërfetare, nxitjen dhe mbështetjen e faktorëve destabilizues të brendshëm, në ruajtjen e “status quo”-së në raport me proceset integruese dhe nxjerrjen e përfitimeve nga roli i saj në raport me Perëndimin.

Aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë njohur rritje në rajon, por edhe në Shqipëri , edhe pse jo me të njëjtat përmasa si në vendet e rajonit. Këto lloj aktivitetesh po bëhen më evidente, ndërkohë që vendet po përparojnë në proceset demokratizuese dhe integruese. Sipas raportit, Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në favor të paqes dhe sigurisë rajonale e globale. Për më tepër, Shqipëria ndjek një politikë konstruktive rajonale, të mbështetur në parimet e bashkëpunimit, drejt proceseve integruese euroatlantike, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.