Fjalë Kyçe

“Shfrytëzojeni këtë mundësi”, premtimet e ShBA-së nëse Kosova kontribuon në arritjen e marrëveshjes në Ohër

“Shfrytëzojeni këtë mundësi”, premtimet e ShBA-së nëse Kosova kontribuon në arritjen e marrëveshjes në Ohër

E shtuna e kësaj jave është rezervuar për takimin e radhës Kurti-Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ky takim vjen pas dakordimit në Bruksel, se propozimi evropian të pranohet ashtu siç është, me 11 pikat përbërëse. Në agjendë të së shtunës, pritet që tash të diskutohet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, edhe një herë e ka theksuar qëndrimin e shtetit që ai e përfaqëson, duke thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë që të arrijë marrëveshje me Serbinë në takimin e radhës që do të mbahet me 18 mars në Ohër.

Sipas tij, të gjitha vendet që kanë qëndruar pranë Kosovës drejt rrugëtimit të saj si shtet, janë të pajtimit se kjo marrëveshje do t’i sjellë benefite Kosovës dhe rajonit.

Përpos përfitimeve që dalin nga propozimi evropian, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova mund të përfitojë edhe në mënyrë indirekte nga takimi i 18 marsit, të shtunën, në Ohër, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Nëse shihet se Kosova ka kontribuuar në arritjen e një dakordimi për zbatim të propozimit evropian, Hovenier ka thënë se ShBA-të do ta rrisin masivisht aktivitetin për t’ia mundësuar Kosovës anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike.

“Ne besojmë se Kosova një ditë duhet të jetë, dhe do të jetë, anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, dhe çështja e vetme është si të bëhen kushtet e duhura për ta arritur këtë. Në rast se e arrijmë një marrëveshje në Ohër dhe Kosova shihet se ka kontribuar për ta arritur në mënyrë të suksesshme dhe konstruktive për ta arritur këtë marrëveshje, mendoj se do të shihni aktivitet të përtërirë amerikan dhe realizimin e këtij vizioni. Nuk është se nuk kemi tentuar në të kaluarën”, ka deklaruar ambasadori Hovenier në ATV.

Ndërsa foli për Partneritetin për Paqe, Hovenier tha se këtu arrihet vendimi me konsensus, ndaj hezitoi të jepte garanci që Kosova do të anëtarësohet menjëherë.

Megjithatë, ai theksoi se përkrahja amerikane edhe në këtë drejtim do të jetë e fuqishme.

“Lidhur me Partneritetin për Paqe, më duhet ta përmend një pikë tjetër. NATO-ja merr vendime me konsensus. Të gjitha vendimet arrihen me konsensus, siç e shohim në të gjitha vendimet e NATO-s. Andaj nuk mund të jap garanci se aspirata që kanë populli i Kosovës, që e kemi edhe ne, do të arrihet menjëherë. Por çfarë mund të ju them është se do të shihni përpjekje të fuqishme amerikane dhe mbështetje për këtë synim”, tha tutje.

E aspiratat për arritjen e dakordimit në Ohër, Hovenier tha se janë të theksuara. Nga aty, ambasadori amerikan shtoi se pasi të arrihet marrëveshje, presin edhe zbatim të saj.

“Unë pres që kur marrëveshja të arrihet të shohim përkushtim të ngjashëm edhe për zbatimin e saj. A mund të garantoj që zbatimi do të ndodhë ashtu siç palët u dakorduan…? Mund të garantoj vetëm se bashkësia ndërkombëtare do të kërkojë këtë dhe kemi menduar me kujdes se çfarë mjetesh kemi për të ofruar stimujt e duhur për zbatim të plotë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars do të takohen në Ohër për të folur për zbatimin e marrëveshjes. Prezentë në këtë takim do të jenë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe shefi i diplomacisë, Josep Borrell. Ndërkaq, gazeta online Reporteri.net ka mësuar se pjesë e takimit do të jetë edhe i dërguari i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.