Fjalë Kyçe

Shkeljet në trafik, policia në Shqipëri pezullon 53 patentë-shoferë

Shkeljet në trafik, policia në Shqipëri pezullon 53 patentë-shoferë

Policia Rrugore e Shqipërisë po vijon kontrollet parandaluese në zonat me risk të lartë për ngjarjet rrugore me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, me fokus shkeljet dhe mjetet që janë rrezik potencial për t’u përfshirë në këto ngjarje rrugore.

Përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë pezulluar 53 leje drejtimi, nga të cilat 32 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 166 km/h në aksin Fier-Vlorë) dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur (deri në 0.70 m/l).

Janë ndëshkuar me masë administrative 1824 drejtues mjetesh, konkretisht 351 për parakalime të gabuara, 344 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 290 drejtues mjetesh për mos vendosje të rripit të sigurimit, 287 për shpejtësi tej normave të lejuara e sjellje agresive në rrugë etj.

Në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve intensive, nisur edhe nga fakti se në shumë raste aksidentesh janë përfshirë edhe drejtues të motoçikletave, janë evidentuar dhe ndëshkuar 245 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.

Janë ndëshkuar me masë administrative nga Policia Rrugore e Tiranës, falë edhe denoncimeve të drejtuesve të automjeteve që qëndrojnë në radhë, 307 drejtues mjetesh, për qarkullim në korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe ato të emergjencës.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.