Atmosfera e Tokës aktualisht është shumë e pasur me oksigjen, por nuk ka qenë gjithmonë kështu dhe nuk do të mbetet e tillë.
Studimi i ri tregon se për një miliard vjet do të ketë aq pak oksigjen saqë shumica e organizmave aerobike shumëqelizore të varur prej tij do të zhduken.
Oksigjeni sot përbën rreth 21 për qind të atmosferës së Tokës. Një atmosferë e tillë është ideale për organizmat e mëdhenj dhe kompleksë, të tillë si njerëzit, të cilët kanë nevojë për oksigjen për jetën.
Por në fillim të historisë së Tokës, nivelet e oksigjenit ishin shumë më të ulëta dhe ka të ngjarë të jenë përsëri të ulëta në të ardhmen e largët.
Në një studim të ri, të botuar në revistën Nature Geoscience, Kazumi Ozaki nga Universiteti Toho në Funabashi në Japoni dhe Chris Reinhard nga Instituti i Teknologjisë Georgia në Atlanta modeluan klimën, sistemet biologjike dhe gjeologjike në Tokë për të parashikuar se si do të ndryshojnë kushtet atmosferike.
Studiuesit thonë se atmosfera e Tokës do të mbajë nivele të larta të oksigjenit për një miliard vjet para se të kthehet në mënyrë dramatike në nivele të ulëta që kujtojnë ato para periudhës së njohur si Ngjarja e Madhe e Oksidimit, rreth 2.4 miliardë vjet më parë.
“Ne kemi zbuluar se një atmosferë e pasur me oksigjen nuk do të jetë një tipar i përhershëm i Tokës”, tha Ozaki për New Scientist.
Një nga arsyet kryesore të ndryshimit do të jetë rritja e energjisë së nxehtësisë që do të lirohet nga Dielli. Studiuesit besojnë se kjo do të çojë në një ulje të sasisë së dyoksidit të karbonit në atmosferë, pasi CO2 thith nxehtësinë dhe më pas zbërthehet.
Ozaki dhe Reinhard vlerësojnë se në një miliard vjet, nivelet e dyoksidit të karbonit do të bëhen aq të ulëta saqë organizmat që varen prej tij për fotosintezën, përfshirë bimët, nuk do të jenë në gjendje të mbijetojnë ose të prodhojnë oksigjen.
Zhdukja në masë e këtyre organizmave fotosintetike do të jetë shkaku kryesor i zvogëlimit të madh të sasisë së oksigjenit në atmosferë.
“Rënia e niveleve të oksigjenit do të jetë shumë, shumë ekstreme – ne po flasim për një milion herë më pak oksigjen sesa jemi sot”, thotë Reinhard.
Shkencëtarët vlerësojnë gjithashtu se paralelisht, nivelet e metanit do të rriten në rreth 10.000 herë më të larta se sa janë sot.
Sapo ndryshimet në atmosferën e Tokës të fillojnë të ndodhin, ato do të përparojnë me shpejtësi: llogaritjet e ekipit sugjerojnë që atmosfera mund të humbasë oksigjenin në vetëm 10.000 vjet.
“Biosfera nuk mund t’i përshtatet një ndryshimi kaq dramatik në mjedis”, tha Ozaki.
Pas një rënieje drastike të niveleve të oksigjenit, mikrobet do të mbretërojnë përsëri në Tokë, shpjegon Reinhard.
“Bota e baktereve anaerobe dhe primitive, që aktualisht fshihen në hije, do të mbretërojë përsëri”.
Jeta tokësore do të pushojë së ekzistuari, ashtu si jeta ujore. Shtresa e ozonit, e cila përbëhet nga oksigjeni dhe vepron si mbrojtje nga rrezatimi, do të varfërohet duke ekspozuar Tokën dhe oqeanet e saj në nivele të larta të dritës ultraviolet dhe nxehtësisë nga dielli përvëlues.
Autorët thonë se kjo shumë të ngjarë të fillojë para fillimit të kushteve të lagështa të serrave në sistemin e klimës së Tokës dhe para humbjeve të mëdha të ujit sipërfaqësor nga atmosferë.
Kërkimi u krye si pjesë e projektit të hulumtimit të habitateve planetare të NASA-s dhe parashikimet kanë implikime për kërkimin e jetës në planet të tjerë.