Fjalë Kyçe

Shkencëtari Kokaj: Jam futur në politikë për t’i sjellë teknologjinë moderne kombit tim

Shkencëtari Kokaj: Jam futur në politikë për t’i sjellë teknologjinë moderne kombit tim

Profesori i shkencave të fizikës, Jahja Kokaj, ka deklaruar se arsyeja pse i është futur politikës është që ta transferojë teknologjinë moderne në vendin tonë.

Deputeti i LVV-së, gjatë emisionit Info Magazine në Klan Kosova shtoi se ka qenë vazhdimisht i interesuar që të sjellë teknologji të re, për atë që tha se ka pasur fatin ta mbledhë në shumë pika relevante ku zhvillohet teknologjia në botë.

Megjithatë, ai citoi një thënie të një shkencëtareje italiane, e cila sipas tij thotë: “Për ta sjellë teknologjinë, pengesën kryesore e shkaktojnë politikanët. Ata kanë rezistencë sepse e kuptojnë më së paku”.

“Kam pas fatin që në pika të ndryshme të globit të jem përgatitur. Llaserin e parë në truallin e Kosovës e kam sjellë unë”, tha ai.

Sipas Kokajt, hapi i parë është bartja e teknologjisë dhe formimi i qendrave.

Ai po ashtu në studio prezantoi se çfarë janë dhe si duken hollogramet, duke i cilësuar si teknologji shumë të fuqishme të magazinimit.

“Është i pa-shkatërrueshëm dhe nuk mund të humben informacionet. Këto potenciale mund të zbatohen për ardhmërinë e fëmijëve në laboratorët tanë. Këtë e ka zbuluar Benton, e unë kam punuar me të”.

“Të bëhen laboratore hulumtuese në nivele universitare ku behet transferi i teknologjisë. Teknologjia e re është ardhmëria e kombit”.

“Unë jam futur në politikë jo për thashetheme, jo për të gjeneruar gjëra sipërfaqësore, por i interesuar që të bëhen laboratorët në shkolla dhe në mënyrë urgjente edhe në universitet”, përfundoi profesor doktori i shkencave të fizikës.